Vendosni fjalën kyçe....

Italia rifillon dërgimin e emigrantëve në Shqipëri


Programi i shumë debatuar i Italisë për dërgimin e azilkërkuesve në Shqipëri rifilloi të dielën, tha Ministria e Brendshme e vendit, disa muaj pasi një gjykatë bllokoi transferimet e para atje.

Një anije e marinës italiane po transportonte 49 persona në qendrat për pritjen e emigrantëve të ndërtuara nga Italia në Shqipëri, tha ministria. Një zëdhënëse e ministrisë shtoi se ata që po transferoheshin ishin kapur në det përpara se të arrinin në Itali.

Kryeministrja Giorgia Meloni e Italisë e ka bërë idenë e dërgimit të azilkërkuesve të rinj jashtë vendit për vlerësim një politikë kyçe të administratës së saj, duke e përshkruar atë si një mënyrë inovative për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe për të penguar emigrantët nga udhëtimet e rrezikshme me varka nëpër Mesdhe.

Meloni rifilloi programin pasi hoqi çështjen nga juridiksioni i gjyqtarëve në Romë, të cilët kishin vendosur kundër transferimeve fillestare. Ky vendim hodhi dyshime mbi të ardhmen e programit. Gjyqtarët thane asokohe se 12 emigrantët që Italia kishte dërguar në Shqipëri në tetor nuk ishin të përshtatshëm për programin sepse vendet nga ata vinin, Bangladeshi dhe Egjipti, mund të mos konsideroheshin të sigurta.

Që atëherë, qeveria e Melonit hartoi gjithashtu një listë të re të vendeve që i konsideron të sigurta. Zyrtarët në Ministrinë e Brendshme nuk dhanë një listë të vendeve nga erdhën emigrantët, por thanë se ata ishin nga vendet që konsideroheshin të sigurta.

Plani ka tërhequr dënime nga grupet e të drejtave të njeriut dhe opozita italiane, të cilat e kanë denoncuar atë si mizor dhe tepër të kushtueshëm. Por disa politikanë anembanë Evropës, duke përfshirë nga partitë kryesore, e shohin atë si një model të mundshëm për politikën e emigracionit në një kohë kur ndjenjat kundër emigrantëve janë gjithnjë e më të përhapura. Presidentja e krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti atë “një shembull të të menduarit jashtë kutisë, bazuar në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta”.

Vendimi i gjyqtarëve në Romë për të ndaluar transferimet nisi një debat të ashpër mes Meloni dhe drejtësisë italiane. Gjyqtarët italianë, përfshirë edhe gjyqtarët në Romë, i kanë kërkuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të sqarojë, ndër të tjera, se kush përcakton se çfarë është një vend i sigurt. Kjo gjykatë pritet të shqyrtojë çështjen muajin e ardhshëm.

Në Itali, çështja se kush mund të dërgohet në Shqipëri tashmë është transferuar në Gjykatën e Apelit në Romë.

Ndërsa rezultati i përpjekjes për të ringjallur politikën mbetet i pasigurt, Meloni e ka bërë të qartë se synon ta shtyjë atë në një mënyrë apo në një tjetër.

“Më besoni, qendrat në Shqipëri do funksionojnë”, tha ajo muajin e kaluar në mbledhjen e partisë së saj në Romë.

“Edhe nëse do të më duhet të kaloj çdo natë për këtë çështje, nga tani deri në fund të kësaj qeverie italiane.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani