Vendosni fjalën kyçe....

“Brenda janarit strategji për krimin zgjedhor” – Dumani


Kreu i SPAK-ut Altin Dumani tha sot se brenda janarit, institucioni që drejton do publikojë strategjinë për krimin zgjedhor.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ai foli për hetimet ndaj kreut të PD-së Berisha, kreut të PL-së Meta, kryebashkiakut të Tiranës Veliaj e përgjimet nga aplikacionet.

Lidhur me këtë të fundi ai tha se deri tani është zbuluar ish-deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja si përdorues i tij.

“Brenda janarit do publikojmë strategjinë për krimin zgjedhor. Pothuajse ka përfunduar. Deri në fund te janarit shpresojmë të miratohet. Do kemi dhe urdhër për zbatim.  Ish-deputet Jurgis Çyrbja është në qeli. Ne nuk kemi të gjithë databazat e aplikacionit SKY EÇ. Nga ato informacione që kanë ardhur, ka rezultuar ajo lidhje që është bërë publike. SPAK është i vendosur për përmbajtjen e SKY, kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi pretendimet e një personi që është marrë i pandehur në dosjen Metamorfoza. Ne jemi të lirë të ushtrojmë ndjekje penale.” – tha Dumani.

Lidhur me hetimet ndaj Metës e Veliajt ai tha se janë në fazë paraprake, ndërsa për Berishën tha se respekton vendimin e gjykatës, shkruan Shqiptarja.

“Çështja në fazën e hetimit paraprakm kontrollet që janë bërë janë mjet për gjetjen e provës. Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fundit të gjithave.” – shtoi Dumani.

Kreu i SPAK,  u pyet nga gazetarët  lidhur edhe me pasuritë e politikanëve jashtë Shqipërisë.

Dumani thotë se SPAK ka patur indicie të tilla për të cilat ka dërguar letërporosi. Megjithatë ende nuk ka gjë konkrete të ndonjë pasurie të sekuestruar apo konfiskuar jashtë.

A keni konstatuar prona apo pasuri të politikanëve ose zyrtareve të lartë jashtë Shqipërisë dhe si keni vepruar?

‘Kemi patur indicie kemi nisur letërporosi, por nuk kemi ndonjë rast konkret që të kemi sekuestruar apo konfiskuar ndonjë pasuri jashtë’, tha Dumani.