
Kryetari i SPAK, Altin Dumani gjatë një takimi informal me gazetarët ka bërë të ditur se deklaratat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për kontratën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë janë në proces hetimor.
Dumani nuk ka dhënë detaje gjatë këtij takimi informal për procesin e hetimeve, por është shprehur se nuk mund të jepte informacion për shkak të sekretit hetimor. “Nuk mund të jap inforamcion për efekt hetimi”, tha Dumani.
Kujtojmë që Arben Ahmetaj akuzoi Ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku, për të cilën tha se pas vizitës që ka zhvilluar në Turqi, anuloi tenerin që kishte fituar kompania Gjoka, duke ia dhënë tenderin e Tunelit të Llogarasë një firme turke, e cila e kërkoi 50 milionë euro më shumë se firma shqiptare.
“Tuneli i Llogarasë është një aferë perse, korruptive. Dmth, një kompani shqiptare shumë dinjitoze ka garuar në tender dhe ka fituar. Ja kanë anuluar. E ka fituar me 140 mln euro. Pasi janë bërë takime në Ankara, le ta zgjasim këtë punën e batutave se do të ju them detaje. I është dhënë tenderi një kombinimi turk … Sipas të gjithave analizave që unë i kam bërë bilancit nuk ka sjellë asnjë makineri. Përsëri punën e ka bërë nënkontraktori prestigjioz Gjokaj. Ama kompania turke, fiton pas taksash, në përllogaritje në referencë të bilanceve kontabël të tyre që unë i kam studiuar me vëmendje, kombinimi turk 32 mln euro. 32 mln pabërë asgjë. Meqë deshët fakte. Meqë më thatë së, dikush thotë që unë nuk kam fakte. Unë nuk jam 007, nuk ka bërë kush deal me mua për 1 mln arsye. Me kë i bën deal i di vetë ai. Le ti urdhërojë të gjithë gangsterët, kriminelët. E di ca i thotë qeverisë, më gjeni patjetër çfarë ka bërë Ben Ahmetaj. E thotë në mbledhje qeverie, ma thonë njerëzit e tij.
Pra, kombinimi turk vetëm ka faturuar fitimin. Zero makineri dhe pajisje, gjithë punën e ka bërë firma shqiptare. Pyetja është pse ja hoqën Gjokës, këta ai e ka bërë gjithë punën. Pse ja hoqën, 140 mln, pse u shtua e shkoi 190 mln euro, me kursin e sotëm. Çfarë ka ndodhur në Ankara. Kujt i tregon ky korrupsion në tendera. Ja ku e ke. Do Altin Dumani të ndjekë pllakat. Ju hoq tenderi Gjokës me presion, i cili ofroi 140 mln euro. U ritenderua 190 mln euro me kursin e sotëm dhe një procedurë e parapërgatitur e merr ‘InterkarASL’, kombinim turk. Kombinimi turk nuk ka sjellë asnjë makineri dhe pajisje në Shqipëri. Gjithë punën e ka bërë Gjoka”, ka denoncuar Arben Ahmetaj nga arratia një vit më parë.
Ndërkaq, Dumani është pyetur nga gazetarët për hetimin që po behet për inceneratorin e Tiranës dhe se ku kanë shkuar paratë.
Ai është shprehur se për momentin është vendosur në sekuestro inceneratori i Tiranës, dhe se gjithçka po menaxhohet nga administrimi i shtetit. Ai ka thënë se po hetohet dhe ku kanë përfunduar paratë.
“Në momentin që është vendosur sekuestro inceneratori i Tiranës është nën administrimin e shtetit. Administratori ka detyrimin që ta menaxhojë, ai është personi përgjegjës për paratë. Për çështjen e sekuestrimit ka masë sigurimi, për ata që dyshohet se kanë përfituar nga ato fonde, po ashtu është duke u hetuar edhe për pjesën tjetër të parave”, është shprehur ai.
Më tej gjatë takimit informal me gazetarët, Altin Dumani nuk ka kursyer kritikat ndaj institucioneve shtetërore, për të cilat tha se lënë shumë për të dëshiruar dhe se nuk denoncojnë korrupsionin.
“Ka institucione që lënë për të dëshiruar, por ne i kemi inkurajuar që të na furnizojnë me kallëzime, kur kanë dyshime për shkelje të ligjit”, është shprehur kreu i SPAK.
Sa i përket pezullimit të hetimeve ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsit, Dumani thekson se ndaj tij nuk u gjet asnjë provë, ndryshe nga pretendimet e opozitës dhe Gazment Bardhit si i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë të gjetur në 2015.
‘Përgjigja është ajo që keni marrë. SPAK ka kryer hetimet dhe ka vendosur pezullim për mos zbulimin autorëve. U hetua edhe përfshirja e Ols Ramës, nuk u gjet provë. U pezulluan hetimet për shkak se nuk është regjistruar emri i tij si person në hetim. Në rast se do ishte në hetim, do kishte pushim të çështjes.’
Sa i takon hetimeve për kryebashkiakun Erion Veliajt, kreu i SPAK Altin Dumani tha se ato janë në fazë paraprake dhe se kontrollet u bënë për të gjetur prova
“Po hetohen veprat penale. Çështja është në fazën e hetimit paraprak kontrollet që janë bërë janë mjet për gjetjen e provës” tha Dumani në një takim për gazetarët.
Dumani i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë nga Apeli i GJKKO-së për Sali Berishën por dhe për hetimet ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pyetja e gazetarëve: Si ndiheni si jurisit? Mund të përsëritet ky skenar edhe për Ilir Metën?
“Nuk kemi ndjeshmëri. Respktojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë te drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqsorit dhe Kushtetuesja i dha fundit të gjithave’ tha Dumani