
Partia Socialiste ka propozuar shtyrjen e ligjit për investimet strategjike duke e lënë në fuqi ekzistuesin deri më 31 dhjetor 2026.
Lidhur me këtë propozim nga depuetja socialiste Pranvera Resulaj, ish-zv.ministrja Irena Beqiraj shkruan se PS-ja është kthyer në një atelie ku qepen ligje me porosi.
Ajo shpjegon se kjo jo vetëm është hera e parë që një gjë e tillë ndodh, por relacioni në vetvete ka një mungesë të theksuar analize dhe vlerësimi të nevojave të ekonomisë shqiptare.
Sipas Beqirajt, fluksi i investimeve të huaja nuk është më i lartë 10 vjeçarin e fundit, por ka nisur të bjerë nga viti 2020 deri në vitin 2023 dhe për më tepër investimet e huaja direkte janë më të ulëta sesa parashikonin modelet ekometrike.
Beqiraj e shpjegon me hollësi ekonomike mungesën e analizës së paraqitur në relacionin e socialistëve ndërsa përfundon duke ironizuar qeverinë e kryeministrit Rama dhe mazhorancën socialiste se janë kthyer në një atelie ku qepen ligje me porosi.
Nga Irena Beqiraj
“Socialistët kanë propozuar një shtyrje tjetër të ligjit për investimet strategjike, duke e lënë atë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026.
Projektligji që mban firmën e deputetes së PS-së, Pranvera Resulaj, argumenton se afati që përfundon e 31 dhjetor 2024, duhet të shtyhet me 2 vite duke qenë se:
“interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore, fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit dhe me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit te paraqitjes së kërkesave deri me datën 31 dhjetor 2026”.
Përtej faktit që kjo është hera e tetë që shtyhet efekti i këtij ligji që prej 2016-ës, relacioni tregon një mungesë të theksuar të analizës dhe vlerësimit të nevojave dhe mundësisë së ekonomisë shqiptare.
Së pari fluksi i investimeve të huaja nuk është më i lartë 10 vjeçarin e fundit, por nga 2020 deri në 2023 ka filluar të ulet dhe për më keq investimet e huaja direkte janë më të ulëta sesa parashikonin modelet ekometrike.
Modelet ekonometrike parashikonin një rritje të investimeve të huaja në Shqipëri gjatë 4 viteve të fundit, ndërkohë që është vënë re e kundërta. Rënia e hyrjeve totale të FDI-ve gjatë katër viteve të fundit ka ardhur kryesisht për shkak të sektorit energjitik. FDI në energji ishin mesatarisht 1% e PBB-së midis 2020 dhe 2023, krahasuar me një mesatare prej 4% në katër vitet e mëparshme. Kjo rënie i atribuohet tërësisht përfundimit të Gazsjellësit Trans Adriatik në vitin 2020.
Ndërkohë që dy sektorët që kanë parë rritje në vitet e fundit kanë qënë prodhimi dhe pasuritë e patundshme. FDI në prodhimin arritën 0.7% të PBB-së në periudhën 2020-2023, nga 0.3% në katër vitet e mëparshme. Pasuritë e patundshme kanë tërhequr hyrjet e investimeve të huaja ekuivalente me 1.5% të PPB-së në tre vitet e fundit, krahasuar me 0.7% në katër vitet e mëparshme. Grafiku tregon se në kushtet aktuale nuk ka asnjë tregues të prirjeve të afërta të rritjes së FDI -ve në Shqipëri.

Për më tepër zhvillimet e fundit gjeopolitike si dhe ristrukturimi që po pësojnë kanalet globale të tregtisë përcaktojnë prirje të reja në sektorët ku rajoni mund të tërheqë investime të huaja dhe vendase produktive.
Studimet tregojnë se një pjesë e investime të huaja të ardhshme priten të vijnë nga kompani aziatike prodhimi, të cilat po pozicionohen strategjikisht në Ballkanin Perëndimor për të qenë më afër partnerëve të tyre të biznesit në BE. Disa kompani aziatike po investojnë gjithashtu në rajon për të lehtësuar eksportet e tyre në kanalet e tregut të BE-së.
Ndërsa pritet që veçanërisht firmat e Europës Perëndimore, të investojnë në Ballkanin Perëndimor në vend të Azisë. Pavarësisht këtyre prirjeve, projekligji nuk e përmend sektorin e prodhimit dhe për më tepër kufiri I investimit 50 milionë euro thuajse e përjashton këtë sektor.
Në muajt në vijim me gjasa do të dëgjojmë për ndonjë investitor të madh i cili po vjen të investojë në Shqipëri. sikurse dëgjuam në fillimet të vitit 2024 për Kushnerin, ndërsa ligji ishte shtyrë për herë të shtatë. Mungesa e aftësisë për të analizuar, vlerësuar dhe prodhuar ligje nga të cilat mund të përfitojë ekonomia në tërësi e ka kthyer mazhorancën në atelienë ku qepen vetëm ligje me porosi.”