Vendosni fjalën kyçe....

SHBA akuzon një shtetas iranian për një plan të pretenduar për vrasjen e Trump-it


Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza kundër një shtetasi iranian në lidhje me një plan të pretenduar për të vrarë Donald Trump, tashmë president i zgjedhur. 

Farhad Shakeri, 51 vjeç, akuzohet se ishte ngarkuar nga Gardat Revolucionare të Iranit për të hartuar një plan për të survejuar dhe vrarë Trump, sipas një aktakuze të zbardhur të premten nga autoritetet amerikane, përcjell BBC.

Zoti Shakeri nuk është arrestuar dhe besohet të ndodhet në Iran.

Prokurorët amerikanë deklaruan se në shtator ai ishte udhëzuar nga një zyrtar i Gardës Revolucionare për të krijuar një plan brenda shtatë ditëve për të kryer sulmin.

Nëse nuk arrinte ta bënte brenda këtij afati, autoritetet iraniane sugjeruan se vrasja mund të kryhej pas zgjedhjeve, duke supozuar se Trump do të humbiste. 

 

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, deklaroi: 

Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar një aset të regjimit iranian, i cili ishte ngarkuar të drejtonte një rrjet bashkëpunëtorësh kriminalë për të përmbushur planet e regjimit iranian për vrasje, duke përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump.” 

Gjithashtu, dy individë të tjerë janë akuzuar për një plan të ngjashëm për të vrarë një gazetar amerikan që ka qenë kritik i hapur ndaj Iranit. Të akuzuarit e tjerë janë identifikuar si Carlisle Rivera, 49 vjeç, i njohur si “Pop,” nga Brooklyn, dhe Jonathon Loadholt, 36 vjeç, nga Staten Island. 

Prokurorët theksuan se Shakeri kishte sugjeruar se një sulm ndaj Trump mund të bëhej më i lehtë pas zgjedhjeve, duke pasur parasysh supozimin se ai nuk do të rizgjidhej, por plani u pezullua përkohësisht nga autoritetet iraniane. 

Ngjarja ka shtuar tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa autoritetet amerikane po ndjekin penalisht individët e përfshirë. 

Kjo histori është në zhvillim dhe pritet të ofrohen më shumë detaje në vijim.