Vendosni fjalën kyçe....

“Lufta e memeve”, si i përdori Irani rrjetet sociale për t’u përballur me Trump-in


Mëngjesin pasi Donald Trump lëshoi kërcënimin për t’i dhënë fund “një civilizimi të tërë” dhe ra dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, ambasada e Teheranit në Afrikën e Jugut postoi një klip tallës me një qen ngjyrë kafe që shikonte i hutuar drejt kamerës, një element klasik i meme-ve në internet.

“Për ata që prisnin mbrëmë që civilizimi iranian të shkatërrohej,” shkruhej në mbishkrimin e postimit në llogarinë e ambasadës në X.

Postimi ishte një shenjë se edhe ndërsa armëpushimi i brishtë po merrte formë, regjimi teokratik i Iranit nuk kishte ndërmend të ndalte luftën e tij me meme.

Që nga momenti kur SHBA dhe Izraeli nisën fushatën e bombardimeve, ambasadat iraniane kanë mbushur rrjetet e tyre me ironi tipike të kulturës online. Llogaritë e lidhura me qeverinë publikojnë animacione Lego të krijuara me inteligjencë artificiale që lidhin dosjet Epstein me luftën e Trump. Ndërkohë, Mohammad-Bagher Ghalibaf, një nga drejtuesit kryesorë në kohë lufte, tallet me administratën amerikane, presidenti i së cilës dikur ishte përdoruesi më i njohur i Twitter-it në botë.

Me regjimin të goditur, por ende në këmbë, “ushtria” online e Iranit po përpiqet ta paraqesë armëpushimin si një fitore.

“Nuk ka asnjë dyshim që Irani ka fituar luftën e propagandës. Administrata Trump ka qenë në pozicion mbrojtës,” tha Darren Linvill, bashkëdrejtor i Media Forensics Hub në Universitetin Clemson.

Një ndërprerje interneti e vendosur nga regjimi në Iran do të thotë se pak propagandë amerikane shihet nga shumica e iranianëve, ndërsa Shtëpia e Bardhë i është drejtuar kryesisht bazës së Trump me klipe që e paraqesin konfliktin si një lojë video, tha Linvill.

Ndërkohë, përmbajtja pro-Iran ka arritur audienca të mëdha në SHBA dhe globalisht duke përdorur gjuhën e internetit, edhe pse vendi ishte nën sulme me raketa dhe vetë po godiste Izraelin dhe rajonin e Gjirit.

Ndërsa propaganda e brendshme shtetërore përdor kërcënime të dhunshme për të shtypur kundërshtimin, postimet provokuese në anglisht shpesh imitojnë stilin e vetë Trump.

Kur, disa javë pas fillimit të luftës, Shtëpia e Bardhë publikoi një video ku një Trump i animuar festonte “javën e bujqësisë” me arinj dhe rosa të animuara, një llogari pro-Iran reagoi ashpër: “Do doja të kishim të paktën një kundërshtar të nivelit të lartë. #LOSERHOUSE”

“Është një komunikim me administratën amerikane në gjuhën e vetë administratës amerikane,” tha Niki Akhavan, profesore e studimeve të medias në Catholic University of America dhe autore e “Electronic Iran”.

Brenda vendit, në kontrast, figura pro-regjimit në TV kanë paralajmëruar disidentët e mundshëm: “do t’ju kapim nga jaka, një nga një” dhe “do t’i bëjmë nënat tuaja të qajnë për ju”.

Teherani ka investuar prej vitesh në propagandë në rrjetet sociale, thonë studiuesit. Në vitin 2024, ekipi kërkimor i Linvill identifikoi rrjete llogarish që shtynin çështje përçarëse në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat dolën se drejtoheshin fshehurazi nga ose në emër të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

IRGC ka financuar një rrjet kompanish me staf të rinj që janë të njohur mirë me kulturën e meme-ve në anglisht, ndërsa grupet pro-regjimit kanë përvetësuar prodhimin e shpejtë të videove të animuara me AI. Kur SHBA dhe Izraeli sulmuan, ky rrjet ishte gati të shpërthente me përmbajtje virale që synonte çështje të ndjeshme për administratën Trump.

Skandali Jeffrey Epstein – dhe ideja se Trump e nisi luftën për të shmangur vëmendjen nga zbulimet për mikun e tij të mëparshëm – është një temë e vazhdueshme. Tallje të tjera pretendojnë se Trump u mashtrua nga Izraeli për të hyrë në luftë dhe se presidenti dhe zyrtarët e tij po përpiqen të përfitojnë prej saj. Një tjetër temë e preferuar është “taco”, një akronim për “Trump always chickens out” (Trump gjithmonë tërhiqet nga frika).

“Qëllimi i Iranit ka qenë të tërheqë vëmendje, të rrisë përçarjen brenda SHBA dhe të ushtrojë presion mbi Trump,” tha Gholam Khiabany, Profesor i studimeve të medias në Universitetin Goldsmiths në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata gjithashtu i janë drejtuar një audience globale anti-imperialiste me postime mbi solidaritetin me palestinezët, luftën e Vietnamit dhe abuzimet ndaj amerikanëve autoktonë.

Shtëpia e prodhimit Explosive Media, e lidhur me qeverinë, është kthyer në një “fabrikë” të këtyre videove të krijuara me AI. Një video tregon një Trump Lego të djersitur ndërsa protestat “No Kings” shtohen para Shtëpisë së Bardhë dhe çmimet e naftës rriten, e më pas shpërthen në dëshpërim kur një ndihmës i thotë: “Zotëri, iranianët kanë publikuar një animacion të ri në stilin Lego”.

“Iranianët po tregojnë një histori në komunikimet e tyre. SHBA jo,” tha Emerson Brooking nga Digital Forensic Research Lab në Atlantic Council.

Llogaritë e ambasadave iraniane në mbarë botën – nga Zimbabveja deri në Mbretërinë e Bashkuar — kanë përqafuar këtë qasje të bazuar në meme.

Ghalibaf, kryetari i fuqishëm i parlamentit iranian, është një nga zyrtarët më të lartë që ka dalë nga toni tradicional madhështor i propagandës shtetërore.

Kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth në mars sugjeroi se Uashingtoni kishte nënvlerësuar kapacitetin raketor të Iranit, Ghalibaf publikoi një foto të një fëmije të frikësuar në prag të lotëve – një meme klasike globale.

Postimi ka marrë 2.6 milionë shikime. Studiuesit thonë se ndikimi real i propagandës iraniane është edhe më i madh, por i vështirë për t’u matur pasi meme-t ripostohen nga llogari të ndryshme dhe të pavarura.

“Nëse hyn në X tani, do shohësh propagandë pro-iraniane, pavarësisht nëse është krijuar apo jo nga qeveria iraniane, sepse po shpërndahet nga të gjithë,” tha Linvill.

Në botën reale, regjimi iranian ka pësuar humbje të mëdha, me krerë, civilë dhe zyrtarë të lartë të vrarë. Sulmet ajrore të SHBA dhe Izraelit kanë shkatërruar gjithashtu shtylla kyçe të prodhimit industrial të Iranit, lidhje jetike transporti, qendra kërkimore dhe motorët e eksportit.

Irani është përgjigjur duke sulmuar Izraelin dhe rajonin e Gjirit, duke mobilizuar milicitë aleate dhe duke trazuar tregjet globale të transportit dhe energjisë, duke mbyllur në praktikë Ngushticën e Hormuzit, një korridor detar i rëndësishëm.

Por duke pasur parasysh synimin e deklaruar të Trump për ta detyruar Iranin drejt “dorëzimit të plotë” dhe premtimet për të rrëzuar qeverinë iraniane, fakti që Ghalibaf dhe zyrtarë të tjerë vijojnë të postojnë – madje edhe të krijojnë meme therëse – shton një shtresë tjetër sfide ndaj kundërshtarit.

“Nëse përfshirja jote kryesore me luftën është përmes këtyre videove iraniane, ti në thelb sheh SHBA-në dhe Izraelin duke përdorur gjithë fuqinë e tyre ushtarake pa rezultat, dhe Iranin duke qeshur me ta,” tha Brooking.

Deklarata e brishtë e armëpushimit të martën nuk bëri shumë për të ngadalësuar krijuesit e meme-ve në Iran. Ata kaluan shpejt në veprimtari të plotë për ta paraqitur marrëveshjen si një fitore iraniane dhe për të tallur deklaratat triumfuese të Trump.

Explosive Media u dha ndjekësve udhëzimin: “Përdoreni këtë meme.”

Më poshtë ishte një video e një Trump që qante, i ulur në tokë përpara një flamuri të bardhë dorëzimi, duke ngrënë një taco.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani