
Një grua iraniane anonime ka rrëfyer për mediat ndërkombëtare realitetin e përditshëm në Teheran, në një kohë kur ka hyrë në fuqi armëpushimi dyjavor i shpallur nga Donald Trump mes SHBA-së dhe Iranit.
Në një ese të publikuar në median australiane, ajo përshkruan një qytet të përfshirë nga shpërthime të natës, kontrolle të shumta dhe ndërprerje të komunikimeve që prej nisjes së operacioneve ushtarake nga SHBA dhe Izraeli në muajin shkurt.
Sipas saj, qytetarët e zakonshëm janë kthyer në “mburoja njerëzore” në një ambient të militarizuar, ndërsa ndjenja e frikës, zemërimit dhe lodhjes është bërë pjesë e përditshmërisë.
Ajo tregon se pas ekzekutimeve publike të protestuesve në janar, shumë qytetarë fillimisht reaguan me shpresë ndaj sulmeve ndaj regjimit, duke përshkruar edhe momente kur njerëzit dolën në rrugë duke festuar dhe duke thirrur kundër udhëheqjes.
Megjithatë, situata mbetet e rëndë. Gruaja thekson se ndërprerja e internetit ka izoluar qytetarët nga bota, ndërsa pasiguria për të ardhmen është e madhe, përcjell Fox News.
“Askush pranë nesh nuk është lënduar fizikisht deri tani, por asnjë natë nuk është e qetë,” shkruan ajo, duke shtuar se frika më e madhe është që lufta mund të përfundojë duke lënë pas një regjim edhe më represiv.
Ndërkohë, sipas saj, një pjesë e mbështetësve të regjimit vijojnë propagandën në rrugët e Teheranit, duke forcuar kontrollin dhe ndikimin e autoriteteve mbi popullsinë.