
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi tha sot se grupet kriminale shqiptare po furnizojnë tregjet ndërkombëtare me kokainë e heroinë dhe lekët i pastrojnë në Shqipëri përmes sektorit të ndërtimit.
Gjatë fjalës në Kuvend, demokrati tha se kjo nuk është një deklaratë e opozitës por e Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Çfarë thotë në raportin e tij, DASH për 2025? Grupet e krimit të organizuar të drejtuar nga shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë sipas autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit. Këto grupe shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta në sofistimin e krimeve të tyre të teknikave të komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parasë. Ata përdorin ekonominë shqiptare, vecanërisht sektorin e ndërtimit për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion. Këtë se thotë më opozita por Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt e papranueshme nuk është të lidhësh sektorin e ndërtimit me paratë e krimit, e papranueshme është t’i japësh krimit në mënyrë të vazhdueshme leje ndërtimi. Tani leje ndërtimi Artur Shehut në Vlorë që po e kërkon e gjithë bota si një nga krerët e një prej organizatave më të rrezikshme të trafikimit të lëndëve narkotike, i ka dhënë leje opozita apo Edi Rama. Ne ja kemi firmosur lejen për resortin luksoz në Vlorë apo Edi Rama? Se pastaj kryetari i Kuvendit thotë se nuk është cështje e kryeministrit dhe nuk mund të vijë ai në interpelancë. Ai firmos leje që të pastrohen paratë e pista të krimit të organizuar në vend dhe nuk qenka një cështje shtetërore apo institucionale për kryeministrin.” – tha Bardhi.