
Kryeministri Rama tha sot se PS-së dhe atij i ka rënë në kurriz një barrë e madhe, që është futja e Shqipërisë në BE.
Gjatë një takimi në Durrës, ai tha se Shqipëria duhet të vrapojë për të kapur derën që i është hapur për në Bruksel.
Kryeministri nënvizoi se zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm janë më shumë politike dhe PS-ja duhet të konfirmojë forcën e mbështetjen.
“Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë të mbyllet atë derë që na është hapur. Na është hapur një derë që s’ka qenë kurrë realisht e hapur për ne. Na kanë thënë ata vazhdimisht ‘ne ju duam këtu me ne, do vijë një ditë’… Ne duhet të bëjmë çmos që të mos e lëmë derën të mbyllet pa hyrë brenda. Dhe që mos ta humbim, duhet të konfirmojmë fuqishëm PS-në në zgjedhjet e ardhshme, që janë më shumë zgjedhje politike sesa zgjedhje vendore. Fati e ka dashur që të na bjerë ne në kurriz një gur kaq i madh për ta ngjitur në metrat e fundit dhe për ta vendosur në majë, duke e vulosur prezencën e Shqipërisë në BE. Kjo është diçka që kështu e ka sjellë rrota e historisë dhe ne duhet ta bëjmë këtë realitet. Ne duhet ta kapim trenin e historisë patjetër”, tha Rama.