Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli godet 100 objektiva në 10 minuta, sulmi më i madh koordinuar në Liban që nga fillimi i luftës


Ushtria Izraelite (IDF) ka ndërmarrë atë që e cilëson si valën më të madhe dhe më të koordinuar të sulmeve ajrore në Liban që nga fillimi i operacionit “Luani ulëritës”.

Brenda një dritareje kohore prej vetëm 10 minutash, forcat ajrore izraelite kanë goditur simultanisht mbi 100 objektiva të lëvizjes Hezbollah në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit zyrtar të IDF, sulmet u shtrinë në pika kyçe si Bejruti, Lugina Beqaa dhe Libani jugor, përcjell Ynet.

Operacioni u bazua në informacione inteligjence të mbledhura prej javësh dhe përfshiu koordinimin e ngushtë mes Drejtorisë së Operacioneve, Inteligjencës dhe Komandës së Veriut.

Ushtria izraelite bëri me dije se shënjestrat përfshinin:

Shtabe operative dhe qendra komandimi të inteligjencës së Hezbollahut.

Infrastrukturë të forcave raketore dhe detare.

Asete të njësisë elitë “Radwan” dhe njësisë ajrore të grupit.

IDF akuzoi sërish Hezbollahun për operim brenda zonave të banuara, duke deklaruar se shumica e objekteve të goditura ndodheshin në qendra civile, megjithëse theksoi se u morën masa për të reduktuar dëmet ndaj popullsisë përpara sulmit.

Ky sulm masiv vjen në një moment kritik kur flitet për një armëpushim dy-javor me Iranin, por Izraeli duket i vendosur për të mos e përfshirë Libanin në këtë pauzë. Gjenerali Eyal Zamir, shefi i shtabit të IDF, ishte i prerë në deklaratën e tij pas operacionit.

“Ne do të vazhdojmë të godasim organizatën terroriste të Hezbollahut pa ndërprerje. Nuk do të bëjmë asnjë kompromis me sigurinë e banorëve tanë në veri. Sulmet do të vijojnë pa pauzë,” — deklaroi Zamir.

Situata mbetet tejet e tensionuar, pasi ndërsa në Pakistan pritet të nisin negociatat për mbrojtjen e infrastrukturës iraniane, në Liban lufta duket se po hyn në një fazë të re dhe akoma më vdekjeprurëse.

Ekspertët ushtarakë shprehen se ky “shkarkim” i menjëhershëm i forcës ajrore synon të asgjësojë kapacitetet drejtuese të Hezbollahut përpara se të arrihet ndonjë marrëveshje e mundshme rajonale.