Vendosni fjalën kyçe....

Kina e  Rusia vënë veton ndaj rezolutës së OKB-së për mbrojtjen e transportit detar në Hormuz


Kina dhe Rusia të martën vunë veton ndaj një rezolute të OKB-së që inkurajonte shtetet të bashkërendonin përpjekjet për të mbrojtur transportin tregtar detar në Ngushticën e Hormuzit, duke e quajtur masën të njëanshme kundër Iranit, ndërsa ambasadori i Uashingtonit në organizatën botërore u bëri thirrje “kombeve të përgjegjshme” që t’i bashkohen SHBA-së në sigurimin e kësaj rruge ujore.

Këshilli i Sigurimit me 15 anëtarë votoi me 11 vota pro rezolutës së paraqitur nga Bahreini, me dy kundër – Kinën dhe Rusinë – dhe dy abstenime.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte”, ndërsa Irani nuk tregoi asnjë shenjë se do të pranonte ultimatumin e tij për të hapur Ngushticën e Hormuzit deri të martën në mbrëmje, sipas orës së Uashingtonit.

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që kur SHBA-ja dhe Izraeli goditën Iranin në fund të shkurtit, duke shkaktuar një konflikt që ka zgjatur më shumë se pesë javë, ndërsa Teherani ka mbyllur në masë të madhe ngushticën që më parë shërbente si rrugë për rreth një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në nivel global.

“Projekt-rezoluta nuk u miratua, për shkak të votës negative të një anëtari të përhershëm të Këshillit,” tha ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani.

Ambasadori amerikan dënon vetot

Ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, dënoi vetot ruse dhe kineze, duke thënë se ato shënuan “një pikë të re më të ulët” në një moment kur mbyllja e Ngushticës nga Irani po pengon dërgimin e ndihmave mjekësore dhe furnizimeve drejt krizave humanitare në Kongo, Sudan dhe Gaza.

“Askush nuk duhet ta tolerojë këtë. Ata po e mbajnë ekonominë globale nën kërcënimin e armës. Por sot, Rusia dhe Kina e toleruan. Ata u rreshtuan me një regjim që kërkon të frikësojë vendet e Gjirit për t’i nënshtruar, ndërkohë që ushtron dhunë ndaj popullit të vet.”

Waltz tha se Irani mund të zgjedhë “të rihapë ngushticën, të kërkojë paqe dhe të korrigjojë gabimet.”

Ai shtoi: “Por deri atëherë dhe edhe më pas, ne u bëjmë thirrje kombeve të përgjegjshme të bashkohen me ne për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, për ta mbrojtur atë, duke garantuar që të mbetet e hapur për tregti të ligjshme, për mallra humanitare dhe për lëvizjen e lirë të mallrave të botës.”

Franca shprehu keqardhje për vetot.

“Qëllimi ishte të inkurajoheshin masa rreptësisht mbrojtëse, thjesht mbrojtëse, për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e ngushticës pa u përshkallëzuar situata,” tha ambasadori i saj në OKB, Jerome Bonnafont.

Rusia dhe Kina thonë se teksti ishte i njëanshëm

Rusia dhe Kina thanë se rezoluta ishte e njëanshme kundër Iranit, dhe i dërguari i Kinës në OKB, Fu Cong, deklaroi se miratimi i një projekti të tillë në një kohë kur SHBA po kërcënonte mbijetesën e një civilizimi do të kishte dërguar një mesazh të gabuar.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, tha se Rusia dhe Kina po propozonin një rezolutë alternative për situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë sigurinë detare.

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, përshëndeti veprimet e Kinës dhe Rusisë, duke thënë se “veprimi i tyre sot e pengoi që Këshilli i Sigurimit të keqpërdorej për të legjitimuar agresionin.”

Iravani shtoi se i dërguari personal i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së ishte aktualisht rrugës për në Teheran për të zhvilluar konsultime.

Kina dhe Rusia përdorën veton e tyre edhe pse Bahreini kishte dobësuar ndjeshëm draftin e tij pasi Kina kundërshtoi autorizimin e përdorimit të forcës.

Drafti i paraqitur për votim hoqi çdo autorizim për përdorimin e forcës. Një referencë e qartë për zbatim detyrues, e përfshirë në një version të mëparshëm të draftit, gjithashtu u hoq, shkruan Reuters.

Në vend të kësaj, teksti inkurajonte fuqishëm shtetet “të bashkërendojnë përpjekjet, me natyrë mbrojtëse, në përputhje me rrethanat, për të kontribuar në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.”

Ai gjithashtu theksonte se këto kontribute mund të përfshinin “shoqërimin e anijeve tregtare dhe komerciale”, si dhe mbështeste përpjekjet “për të penguar përpjekjet për të mbyllur, bllokuar ose ndërhyrë ndryshe në lundrimin ndërkombëtar përmes Ngushticës së Hormuzit.”