Vendosni fjalën kyçe....

“6 mijë familje të pëmbytura në Durrës s’u dëmshpërblyen, Rama bleu votat me grupet kriminale” – Berisha


 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij këtë të hënë, akuzoi kryeministrin Rama për blerje votash përmes lidhjeve me grupe kriminale dhe kartele, ndërkohë që sipas tij nuk merret me nevojat e qytetarëve.

Duke përmendur përmbytjet e fundit, Berisha vuri në dukje se 6 mijë familjet në Durrës që u përmbytën nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare.

“A morën ndonjë dëmshpërblim 6 mijë familjet e Durrësit që u përmbytën? Asgjë! Ndërkohë, Gjushi dhe Sakoja rrisin pagat e tyre, mbledhin këshillin dhe përfitojnë pa shkuar në punë, duke vjedhur në heshtje,” tha Berisha.

“Po pyes, a morën ndonjë dëmshpërblim këto familje? Absolutisht jo. Ata nuk marrin asnjë ndihmë, kurse disa të tjerë rrisin pagat e tyre pa asnjë punë reale. Kjo është një formë censurimi që synon të vërë njerëzit në pasivitet.

Shikoni se çfarë ndodh me naftën: çmimi ka arritur në 220 lekë për litër, më i larti në botë. Ai deklaron se do ta ulë akcizën vetëm kur çmimi të shkojë mbi këtë nivel, por TVSH-ja tashmë e ka rritur barrën mbi 8 lekë për litër, pa kthyer asnjë qindarkë. Shqipëria ka barrën fiskale më të lartë në Evropë dhe botë mbi naftën, por ky qeveritar tallet me qytetarët duke premtuar rritje të akcizës që nuk ndodh.

Qëndrimi i tij ndaj të rinjve është tepër armiqësor. Studentët shqiptarë paguajnë tarifat më të larta në Evropë pas Britanisë dhe Holandës, shumë më tepër sesa në vende si Austria, Sllovenia, Franca apo Gjermania. Në përqindje ndaj pagave, kjo është 16 herë më e lartë. Dhe ndërkohë, mashtron duke u treguar arritje veprime që në fakt i ka penguar, si çështja e vizave, duke manipuluar publikun.

Pra kemi të bëjmë me një person pa turp dhe pa ndjenja, i cili ka korruptuar thellësisht edhe mediat, të cilat shpërndajnë trillime dhe mashtrime 24 orë në ditë.”