Vendosni fjalën kyçe....

Vendet e Gjirit shqyrtojnë tubacione të reja për të shmangur Hormuzin


Shtetet e Gjirit po shqyrtojnë ndërtimin e tubacioneve të reja për të shmangur Ngushticën e Hormuzit, pasi kërcënimi i një kontrolli afatgjatë nga Irani mbi këtë pikë strategjike po i shtyn vendet e rajonit të rishikojnë plane të kushtueshme për të vijuar eksportin e naftës dhe gazit.

Zyrtarë dhe drejtues të industrisë thonë se tubacionet e reja mund të jenë e vetmja mënyrë për të reduktuar cenueshmërinë e vijueshme të vendeve të Gjirit ndaj ndërprerjeve në ngushticë, megjithëse projekte të tilla janë të shtrenjta, politikisht të ndërlikuara dhe kërkojnë vite për t’u përfunduar.

Konflikti i tanishëm ka theksuar rëndësinë strategjike të tubacionit 1,200 km Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite. I ndërtuar në vitet 1980 pas frikës se “lufta e cisternave” gjatë Luftës Iran-Irak mund të mbyllte ngushticën, ai sot është një arterie jetike që dërgon 7 milionë fuçi naftë në ditë drejt portit Yanbu në Detin e Kuq, duke anashkaluar plotësisht Hormuzin.

“Në retrospektivë, tubacioni Lindje-Perëndim duket si një lëvizje gjeniale strategjike,” tha një drejtues i lartë energjetik nga Gjiri.

Amin Nasser, drejtori ekzekutiv i gjigantit shtetëror të naftës Saudi Aramco, u tha analistëve muajin e kaluar se tubacioni është “rruga kryesore që po shfrytëzojmë aktualisht”.

Tani mbretëria po shqyrton si të eksportojë më shumë nga prodhimi i saj prej 10.2 milionë fuçi në ditë përmes tubacioneve, në vend që të kalojë nëpër ujërat e kontrolluara nga Irani. Kjo përfshin zgjerimin e kapacitetit të tubacionit ekzistues ose ndërtimin e rrugëve të reja.

Planet e mëparshme për tubacione në rajon shpesh janë bllokuar për shkak të kostove të larta dhe kompleksitetit. Por Maisoon Kafafy, këshilltare e lartë për programet e Lindjes së Mesme në Atlantic Council, tha se klima në Gjirin Persik ka ndryshuar.

“Po shoh një kalim nga skenarë hipotetikë në realitet operacional,” tha ajo.

“Të gjithë po shohin të njëjtën hartë dhe po arrijnë në të njëjtat përfundime.”

Sipas saj, opsioni më i qëndrueshëm nuk është një tubacion i vetëm alternativ, por një rrjet korridoreve energjetike, edhe pse kjo është mundësia më e vështirë për t’u realizuar.

Në afat më të gjatë, tubacionet e reja ka të ngjarë të bëhen pjesë e korridoreve tregtare përmes të cilave mund të transportohen edhe mallra të tjera përveç naftës dhe gazit.

Një mundësi është ringjallja e projektit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për një korridor tregtar që lidh Indinë me Gjirin dhe më pas me Evropën, i quajtur IMEC. Një pjesë e këtij projekti përfshinte një tubacion që do përfundonte në portin izraelit të Haifa, një element politikisht i ndërlikuar.

Yossi Abu, drejtori ekzekutiv i kompanisë izraelite NewMed Energy, tha se tubacionet drejt Detit Mesdhe do ndërtohen, qoftë drejt porteve në Izrael apo Egjipt.

“Vendet duhet të kontrollojnë fatin e tyre, me miqtë e tyre,” tha ai.

“Duhet të kemi tubacione nafte, lidhje hekurudhore në të gjithë rajonin, në tokë, pa u dhënë të tjerëve mundësi të na bllokojnë.”

Christopher Bush, drejtori ekzekutiv i kompanisë private libaneze Cat Group, e cila ishte një nga ndërtuesit kryesorë të tubacionit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite, tha se kishte interes për projekte të reja edhe para fillimit të luftës.

“Kam disa prezantime të ndryshme mbi tryezë,” tha ai.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Kostoja për të ndërtuar sot një tubacion të ngjashëm me atë Lindje-Perëndim do ishte të paktën 5 miliardë dollarë, ndërsa rrugë më të ndërlikuara që kalojnë nga Iraku drejt Jordanisë, Sirisë ose Turqisë mund të kushtonin 15-20 miliardë dollarë.

Rreziqet e sigurisë përfshijnë praninë e bombave të pashpërthyera në Irak dhe veprimtarinë e militantëve si ISIS. Tubacionet që kalojnë drejt porteve në Oman do përballeshin me sfida të terrenit shkretinor dhe malor.

Portet në Oman nuk janë plotësisht të sigurta nga kërcënimet iraniane. Sulmet me dron ndaj portit strategjik të Salalah në ditët e fundit e detyruan atë të mbyllej përkohësisht.

Sfida politike përfshin gjithashtu çështjen se kush do operojë tubacionin dhe kush do kontrollojë rrjedhën e energjisë. Një rrjet tubacionesh do kërkonte që vendet e Gjirit të bashkëpunojnë më shumë dhe të heqin dorë nga politika individualiste.

Në afat të shkurtër, mundësitë më të realizueshme mund të jenë zgjerimi i tubacionit Lindje-Perëndim dhe rrugës ekzistuese të Abu Dabit drejt Fujairah, duke rritur kapacitetin pa ndërtuar infrastrukturë të re ndërkufitare.

Arabia Saudite mund të zhvillojë gjithashtu terminale të reja eksporti në bregdetin e Detit të Kuq, përfshirë portin e thellë që po ndërtohet për projektin NEOM.

Një drejtues i lartë energjetik tha se Abu Dabi ka pasur gjithmonë një plan alternativ për një tubacion të dytë drejt Fujairah, por vendimet përfundimtare pritet të merren vetëm pasi të bëhet më e qartë gjendja afatgjatë e Ngushticës së Hormuzit.

Mbretëria e Bashkuar po udhëheq bisedime mes 35 vendeve për krijimin e një koalicioni që synon rihapjen e ngushticës.

Kafafy tha se vendet e Gjirit kanë nevojë për kohë për të vlerësuar gjendje, por tashmë e kuptojnë se kriza e tanishme energjetike kërkon një mënyrë të re të menduari.

“Bisedimet kanë avancuar më tej,” tha ajo.

“Nuk pres që gjendja të kthehet siç ishte para konfliktit.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times