Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kritikuar ashpër qëndrimet e presidentit të Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, duke i cilësuar si të dëmshme për aleancën e NATO.
Macron theksoi se deklaratat e vazhdueshme të Trump, që vënë në dyshim angazhimin e SHBA ndaj NATO-s, po minojnë vetë thelbin e aleancës. “Nëse çdo ditë hedh dyshime mbi angazhimin tënd, atëherë po gërryen vetë bazën e saj,” u shpreh ai gjatë një vizite shtetërore në Korenë e Jugut, sipas The Guardian.
Reagimi i Macron vjen pasi Trump e ka cilësuar NATO-n si një “tigër letre” dhe ka kërcënuar me tërheqjen e SHBA nga aleanca, duke kritikuar gjithashtu refuzimin e vendeve europiane për të përdorur forcën për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti francez e quajti këtë ide “të parealizueshme”, duke paralajmëruar se një operacion ushtarak do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve nga Irani. Sipas tij, zgjidhja mund të vijë vetëm përmes koordinimit diplomatik me Teheranin pas një armëpushimi.
Macron bëri thirrje për më shumë seriozitet nga liderët ndërkombëtarë, duke kritikuar kontradiktat në deklaratat publike. “Nëse do të jesh serioz, nuk mund të thuash sot të kundërtën e asaj që the dje,” shtoi ai.
Deklaratat e tij reflektojnë shqetësimin në rritje në Europë për qasjen e SHBA ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme dhe për ndikimin që kjo mund të ketë në stabilitetin e aleancave ndërkombëtare.
