Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku interpelancë për korporatën e investimeve: Edhe për një stilolaps kërkohet transparencë, po për projektet e mëdha?



Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një interpelancë në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, i cili e delegoi përfaqësimin te ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Në fjalën e saj, Tabaku ngriti një sërë pyetjesh mbi funksionimin dhe transparencën e korporatës shtetërore të investimeve, duke kërkuar informacion të detajuar mbi inventarin e pronave dhe mënyrën e bashkëpunimit me sektorin privat.

“Cili është inventari i këtyre pronave që ka kjo korporatë? Mbi çfarë parimesh bëhen marrëveshjet me privatët? Si përzgjidhen dhe si garantohet që korporata nuk është e lidhur me krimin, siç ka ndodhur me PPP-të?” u shpreh ajo.

Deputetja ngriti shqetësime edhe për projekte konkrete, duke përmendur Pallatin e Kongreseve dhe shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, për të cilat, sipas saj, ekzistojnë plane për ndërtime kullash.

“Mbi çfarë parimi është vendosur që Pallati i Kongreseve t’i kalojë korporatës, që mund të çojë në shembjen e tij dhe ndërtimin e kullave? E njëjta gjë edhe për shtëpinë e fëmijës ‘Zyber Hallulli’,” tha Tabaku.

Ajo akuzoi qeverinë për mungesë transparence, duke theksuar se nuk publikohen bilancet dhe raportet vjetore për projektet e mëdha.

“Pse nuk botohen bilancet dhe raportet vjetore? Edhe për një stilolaps kërkohet transparencë, po për projektet e mëdha?”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se kryeministri duhet të ishte i pranishëm për të dhënë llogari në Kuvend.