Grupi parlamentar i Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me fokus kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të saj dhe sigurinë kibernetike në vend.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili theksoi se hetimi synon të analizojë në detaje aktivitetin e AKSHI-t, përfshirë edhe rreziqet që lidhen me sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Sipas Bardhit, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
Ai nënvizoi se kontrolli parlamentar është një mekanizëm i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të lejojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie,” u shpreh Bardhi, duke kërkuar që ngritja e komisionit hetimor të mos pengohet.
