Vendosni fjalën kyçe....

Burg përjetë për Redjan Rrajën


Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rraja, i shpallur fajtor për vrasjen e Andi Maloku, si dhe për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (Rrumi).

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi gjithashtu të lërë në fuqi dënimin me 35 vite burg për Arjol Halilaj, i akuzuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje kriminale. Sipas vendimit, rekursi i paraqitur nga të dënuarit u konsiderua i pabazuar, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Trupi gjykues i përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj arriti në përfundimin se provat e administruara mbështesin përgjegjësinë penale të të pandehurve.

Sipas dosjes gjyqësore, Rraja, 34 vjeç, nga fshati Nikël i Fushë-Krujës, konsiderohet një nga autorët kryesorë të atentatit ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku, ndërsa u plagos edhe Aleksandër Laho.

Gjykata e shpalli fajtor Redjan Rrajan për disa vepra penale, përfshirë vjedhje në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje dhe prodhim armësh e municionesh, si dhe vrasje të funksionarëve publikë mbetur në tentativë ndaj Arjan Ndojës. Ai u shpall gjithashtu fajtor për vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe tentativë vrasjeje ndaj Aleksandër Lahos.

Në përfundim, në bashkim të dënimeve, Gjykata vendosi dënimin përfundimtar me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajan.