Vendosni fjalën kyçe....

“Balluku mburojë e Ramës, KE të rikthejë monitorimin e Shqipërisë” – Berisha


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pohoi dy përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës shqetësimet e opozitës lidhur me atë që ai e quajti “afera Rama-Balluku.”

Në deklaratën për mediat, kryedemokrati u shpreh se ka paraqitur argumente për rolin politik të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Ju dhashë fakte se Balluku është Rama. Përdora një shprehje. Në rrafshin politik, Balluku nuk është gjë tjetër, vetëm t-shirt i Edi Ramës. Po e theksova kjo në rrafshin politik, mos të ketë keqkuptime”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se gjatë bisedës me përfaqësuesit ndërkombëtarë ka ngritur edhe çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe standardet demokratike, duke pretenduar se zgjedhjet, sipas tij, janë ndikuar nga përdorimi i burimeve shtetërore dhe faktorëve të tjerë që, në vlerësimin e opozitës, kanë cenuar procesin elektoral.

Ai theksoi se në takim është diskutuar edhe mbi funksionimin e AKSHI, si dhe mbi çështje që, sipas tij, lidhen me transparencën institucionale dhe qeverisjen.

Sipas Berishës, opozita mbështet rikthimin e mekanizmave të monitorimit ndërkombëtar, me argumentin se kjo do të ndihmonte në forcimin e standardeve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ai shtoi se qëndrimet e paraqitura gjatë takimit synojnë, sipas tij, të reflektojnë shqetësimet e qytetarëve që mbështesin integrimin europian dhe funksionimin e institucioneve sipas parimeve demokratike.

“Informova gjerësisht për zgjedhjet, për se si këto zgjedhje, më shumë se në çdo rast tjetër, u shndërruan në një farsë të shëmtuar elektorale, se si Edi Rama përdori të gjithë potencialet e administratës shtetërore, monetare, njerëzore, për të dhunuar zgjedhjet logjistike e të tjerë. Për gjobat dhe kamatat dy miliardë euro që u falen, për angazhimin total të karteleve të drogës me 28 deputetë, përfaqësuar, njëri nga Arkand Balla, karteli Troplini dhe nga Sara Mile, karteli Çelaj, deputetët më të votuar të parlamentit shqiptar. I informova dhe i njoha me dokumente, me fakte, se si parlamenti është aneksuar dhe kryetari i parlamentit përbën njeri pa asnjë vlerë që nuk respekton as rregullore dhe asgjë. Shkarja e standardeve në Shqipëri është katastrofale.

U ndalëm gjatë tek afera Rama-Balluku. Ju dhashë fakte se Balluku është Rama. Përdora një shprehje. Në rrafshin politik, Balluku nuk është gjë tjetër, vetëm t-shirt i Edi Ramës. Po e theksova kjo në rrafshin politik, mos të ketë keqkuptime.

Pra, unë u them të vërteta se unë do të doja që biseda të ishte në praninë tuaj, po ata kanë kodin e tyre dhe nuk mundej. I shpjegova se si Edi Rama kompozoi qeverinë sipas oreksit të plotë të Lubi Ballukut. U ndalëm gjerësisht tek AKSHI, tek dy Lindat famoze, duke treguar se njëra është fake, tjetra është e vërtetë. Tjetra është e vërtetë dhe e vërtetë është Linda e lidhur me Edi Ramën. Unë mendoj se patëm një nga, një nga, një nga debatet, një nga diskutimet më të hapura me partnerët tanë. Natyrisht, qëndrimi ynë është rikthimi i monitorimit në mënyrë që shqiptarët të mos rrokullisen më në këto, në, në, në honet e narkoshtetit siç po ndodh tani. Pra, jua thashë të gjitha këto, nuk besoj të kem harruar gjë.

Të gjitha ato të cilat unë diskutova sot me miqtë tanë, duke patur bindje të thellë se jam në këtë mënyrë zëri i shqiptarëve që e duan këtë vend, që duan shtetin ligjor, që duan të drejtat e njeriut, që duan të ardhmen evropiane.”