
Parlamenti i Izraelit ka votuan të hënën një ligj që e bën dënimin me vdekje dënimin e paracaktuar për palestinezët e dënuar në gjykatat ushtarake për sulme vdekjeprurëse, duke përmbushur kështu një zotim kryesor të aleatëve të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Legjislacioni ka nxitur kritika ndërkombëtare kundër Izraelit, i cili ndodhet tashmë nën vëzhgim për rritjen e dhunës së kolonëve kundër palestinezëve në Bregun e Perëndimit të pushtuar.
Masa përfshin dispozita që kërkojnë ekzekutimin me varje brenda 90 ditëve nga dhënia e dënimit, me disa mundësi për shtyrje, por pa të drejtë për falje dhe me opsionin e vendosjes së burgimit të përjetshëm në vend të dënimit me vdekje. Ky ligj u hartua nga Itamar Ben-Gvir, ministri i sigurimit kombëtar i ekstremit të djathtë, i cili ka mbajtur karfica në formë litarësh varetjeje në xhaketën e tij gjatë kohës përpara votimit.
Ligji është veprimi më i fundit i koalicionit të Netanyahut që ka ngritur shqetësim te aleatët perëndimorë të Izraelit, të cilët kanë qenë gjithashtu kritikë ndaj dhunës së kolonëve hebrenj kundër palestinezëve në Bregun e Perëndimit.
Në një përpjekje për të shmangur reagimin e ashpër ndërkombëtar, Netanyahu kërkoi që disa elemente të legjislacionit të zbuten, raportuan mediat izraelite. Projektligji origjinal kishte mandatuar dënimin me vdekje për shtetasit jo-izraelitë në Bregun e Perëndimit të dënuar në gjykatat ushtarake për akte terroriste vdekjeprurëse. Legjislacioni i rishikuar përfshin opsionin e burgimit të përjetshëm.
Në gjykatat civile të Izraelit, legjislacioni i ri mandaton ose burgimin e përjetshëm ose dënimin me vdekje për këdo që dënohet për “shkaktimin me dashje të vdekjes së një personi me qëllimin për t’i dhënë fund ekzistencës së Izraelit”.
Edhe para votimit, projektligji ka tërhequr kritika nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë, të cilët thanë se ai kishte një karakter “de facto diskriminues” ndaj palestinezëve.
“Miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte minimin e angazhimeve të Izraelit në lidhje me parimet demokratike,” thanë ministrat në një deklaratë të përbashkët të dielën.
Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara tha se projektligji përfshin “përkufizime të vagëta dhe tepër të gjera të terroristit”, që do të thotë se dënimi me vdekje mund të jepet për “sjellje që nuk janë realisht terroriste” në natyrë.
Ben-Gvir ka argumentuar se dënimi me vdekje do t’i pengonte palestinezët nga kryerja e sulmeve vdekjeprurëse kundër izraelitëve ose tentativat për rrëmbime me qëllim detyrimin e marrëveshjeve të shkëmbimit për palestinezët e burgosur në burgjet izraelite.
Amnesty International, e cila gjurmon vendet që aplikojnë ligjet e dënimit me vdekje, thotë se “nuk ka asnjë provë që dënimi me vdekje është më efektiv në reduktimin e krimit sesa burgimi i përjetshëm”.
Projektligji ka hasur gjithashtu në kundërshtime nga profesionistët në strukturat e sigurisë dhe ato ligjore të Izraelit përgjatë hartimit të tij, të cilët argumentuan se ai ishte antikushtetues dhe joefektiv. Grupet izraelite të të drejtave të njeriut dhe anëtarët e opozitës në parlament kanë thënë se do ta ankimojnë ligjin në Gjykatën Supreme të Izraelit, e cila ka të ngjarë ta rrëzojë atë.
Izraeli e hoqi dënimin me vdekje për vrasje në vitin 1954. Personi i vetëm i ekzekutuar ndonjëherë në Izrael pas një gjyqi civil ishte Adolf Eichmann, një arkitekt i Holokaustit nazist, në vitin 1962. Gjykatat ushtarake e ruajtën opsionin e vendosjes së dënimit me vdekje, por nuk e kanë bërë këtë deri më tani.
Sipas Amnesty International, rreth 54 vende në mbarë botën e lejojnë dënimin me vdekje, duke përfshirë një numër të vogël demokracish si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia. Grupi thotë se trendi global është drejt abolicionit, me 113 vende që e kanë nxjerrë jashtë ligjit për të gjitha krimet.
Grupi izraelit i të drejtave B’Tselem thotë se gjykatat ushtarake në Bregun e Perëndimit, ku gjykohen palestinezët, kanë një shkallë dënimi prej 96% dhe kanë një histori të nxjerrjes së rrëfimeve përmes torturës.
Ben-Gvir, i cili u dënua në vitin 2007 për nxitje raciste kundër arabëve dhe mbështetje për grupin Kach (i cili ndodhet në listat e zeza të terrorizmit të Izraelit dhe SHBA-së), ka mbikëqyrur një reformë të burgjeve që ka çuar në akuza për abuzim ndaj të burgosurve palestinezë. Ai e bëri dënimin me vdekje për militantët palestinezë një zotim kryesor në fushatën e tij zgjedhore të vitit 2022.
Abdallah Al Zughari, kreu i Klubit të të Burgosurve Palestinezë, tha se palestinezët në burgjet izraelite u janë nënshtruar tashmë “praktikave të vrasjes së ngadaltë” që kanë çuar në vdekjen e më shumë se 100 të burgosurve që prej sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, shkruan Reuters.