Vendosni fjalën kyçe....

Grabitja spektakolare në muzeun italian, vidhen brenda tre minutash pikturat e Renoir, Cezanne dhe Matisse


Tri piktura të mjeshtrave francezë Pierre-Auguste Renoir, Paul Cezanne dhe Henri Matisse, me një vlerë totale të vlerësuar prej rreth 10 milionë dollarësh, janë vjedhur nga një muze në veri të Italisë, njoftoi policia të hënën.

Vjedhja ndodhi në fondacionin “Magnani Rocca”, në periferi të qytetit të Parmës, gjatë natës mes 22 dhe 23 marsit, bënë të ditur karabinierët përmes një deklarate.

Hajdutët hynë me forcë përmes hyrjes kryesore të ndërtesës dhe morën veprën e Cezanne “Tasse et Plat de Cerises” (Filixhani dhe pjata me qershi), “Les Poissons” (Peshqit) të Renoir-it dhe “Odalisque sur la Terrasse” (Odaliska në tarracë) të Matisse-it, shtoi policia.

Transmetuesi publik italian Rai raportoi se veprat e vjedhura vlenin 9 milionë euro (10.34 milionë dollarë), një shifër kjo që nuk u konfirmua nga karabinierët.

Vjedhja zgjati më pak se tre minuta

Muzeu, i cili strehon një koleksion privat të grumbulluar nga i ndjeri Luigi Magnani, kritik arti dhe muzikolog, deklaroi veçmas se vjedhja zgjati më pak se tre minuta.

Sipas faqes së saj të internetit, koleksioni i Fondacionit “Magnani Rocca” përfshin gjithashtu vepra nga Titiani, Francisco Goya, Giovanni Battista Tiepolo, Claude Monet, Peter Paul Rubens dhe Giorgio Morandi, shkruan Reuters.