Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria në vendnumëro për integrimin”, Berisha: Rama bllokoi procesin


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Shqipëria është në “vendnumëro” në procesin e integrimit në Bashkimi Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për bllokimin e këtij procesi.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se vendimi për të mos hequr imunitetin e Belinda Balluku ka ndikuar negativisht në raportin e rëndësishëm për progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Sipas tij, nëse raporti i standardeve nuk miratohet në mënyrë unanime nga vendet anëtare, vendi nuk mund të avancojë në mbylljen e kapitujve të negociatave.

“Siç e dini, Rama, deklaroi në mënyrë të papërgjegjshme, se një vendim të tillë do ta merrte çdo parlament i një vendi demokratike. E vërteta është krejt tjetër. E vërteta është se për Brukselin, shqiptarët dhe cilido që ka abc e shtetit ligjor, ky është vendim antikushtetues, me pasoja të rënda, shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit. Ky vendim detyroi një numër vendesh, anëtare të BE, që të bllokojnë raportin më të rëndësishëm, de facto progresin drejt integrimit. Në rastin e Shqipërisë, mbeti në klasë,” tha ai.

Berisha shtoi se Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa miratimin unanim të këtij raporti nga vendet e BE-së.

“Shqipëria është e bllokuar, në vend numëro, nuk ecën dot para. Shqiptarët ta kenë të qartë se Rama me vendimin që mori për të mbrojtur veten e tij, duke bllokuar arrestimin e Ballukut në parlament, bllokoi de-facto procesin e BE,” deklaroi ai.