
Policia Rrugore e Durrësit ka arrestuar një 38-vjeçar që tentoi të korruptojë efektivët për t’i shpëtuar ndëshkimit, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur në aksin “Golem–Plepa”.
Sipas njoftimit ai u ofroi 5 mijë lekë punonjësve të policisë për t’i shpëtuar ndëshkimit.
Ky është rasti i 11-të i evidentuar i tentativave për korrupsion ndaj policisë në Durrës.
Njoftimi:
Durrës
Shkon në 11 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar/proceduar penalisht, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale apo administrative.
Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Arrestohet 38-vjeçari që iu ofroi para punonjësve të Policisë që e konstatuan duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Golem-Plepa”, automjetit me drejtues shtetasin L. K., 38 vjeç.
Nga kryerja e testit të alkoolit, drejtuesi i automjetit rezultoi në gjendje të dehur.
Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, drejtuesi i automjetit iu ka ofruar atyre 5 000 lekë, me qëllim shmangien e procedurave ligjore.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, shtetasi L. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.