Vendosni fjalën kyçe....

Hajdutët vjedhin 12 ton çokollata KitKat në Evropë


Dymbëdhjetë ton çokollata KitKat humbën në Evropë javën e kaluar pasi hajdutët u larguan me kamionin që i transportonte ato, tha të shtunën gjiganti ushqimor zviceran Nestle.

KitKat, i cili prodhohet nga Nestle, tha se kamioni që transportonte 413,793 çokollata të gamës së tij të re, u nis nga Italia qendrore për të shpërndarë çokollatën në gjithë Evropën, por nuk arriti kurrë në destinacionin e tij përfundimtar të planifikuar në Poloni.

Automjeti dhe malli mbeten të pagjetur. Nestle nuk zbuloi se ku saktësisht humbi kamioni, shkruan Reuters.

Në një deklaratë të veçantë, KitKat tha se çokollatat e humbura janë të gjurmueshme përmes një kodi unik të serisë. Kushdo që skanon numrat e serisë së çokollatës së vjedhur do merrte udhëzime se si të kontaktonte me KitKat.

“Ndërsa vlerësojmë shijen e jashtëzakonshme të kriminelëve, mbetet fakti se vjedhja e ngarkesave është një çështje në rritje për bizneset e të gjitha llojeve,” tha KitKat.