
Autoritetet kanë shpallur në kërkim tre persona pas një konflikti të dhunshëm të ndodhur në lagjen “15 Tetori” në Vlorë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë shpallur në kërkim shtetasit F. B., 34 vjeç, K. Xh., 33 vjeç dhe E. H., 25 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi F. B. dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin S. M., 32 vjeç. I plagosuri ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi K. Xh. ka përdorur automjetin e tij për të larguar autorin e dyshuar nga vendi i ngjarjes, ndërsa shtetasi E. H. dyshohet se ka larguar automjetin e F. B.
Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.