Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria U19 fundos Maltën 7-1, rekord në eliminatoret e Europianit


Kombëtarja shqiptare U19 ka arritur një fitore spektakolare 7-1 ndaj Maltës në eliminatoret e Kampionatit Europian, duke vendosur një rekord të ri për këtë grupmoshë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Fation Tafaj dominoi plotësisht takimin e zhvilluar në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke treguar diferenca të mëdha në fushë.

Protagonistë absolutë ishin dy talentet e rinj: Arman Durmishi dhe Gabriel Kulla. Durmishi, 17-vjeçari që aktivizohet me Juventusin, realizoi tregolësh për golat 1-0, 3-1 dhe 4-1. Ndërkohë, Kulla shënoi gjithashtu tre herë, duke vulosur rezultatin me golat për 2-1, 6-1 dhe 7-1. Një gol tjetër u realizua nga Rexhepi.

Në ndeshjen tjetër të grupit B4, Norvegjia fitoi 3-0 ndaj Luksemburgut në stadiumin Niko Dovana. Më 31 mars, Shqipëria do të përballet me norvegjezët në një sfidë vendimtare për kualifikimin.

Kjo fitore vjen pas një tjetër rezultati të thellë të kësaj skuadre, që kishte mundur 6-0 Lihtenshtajnin në vitin 2024.

Në krahasim me ekipet e tjera kombëtare, edhe përfaqësuesja e parë e Shqipërisë ka disa fitore të thella, si 5-0 ndaj Vietnamit dhe San Marinos, apo 6-1 kundër Qipros, por nuk ka arritur një rezultat kaq të thellë. Ndërkohë, Shqipëria U21 ka fituar 7-1 ndaj Rumanisë në vitin 1978, ndërsa U17 ka triumfuar 6-0 ndaj Lihtenshtajnit në vitin 2012.