Vendosni fjalën kyçe....

Organizonte lojëra fati në lokal, arrestohet 58-vjeçari në Krumë të Kukësit



Policia e Kukësit ka arrestuar në flagrancë një 58-vjeçar në Krumë, i cili dyshohet se organizonte në mënyrë të paligjshme lojëra fati në lokalin e tij.

Kontrollet u kryen nga strukturat e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në kuadër të punës për evidentimin e subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet pa leje.

Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një celular, skedina dhe një shumë parash. Shtetasi i arrestuar është identifikuar si G. R., 58 vjeç, banues në Krumë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme, ndërsa policia bën me dije se vijojnë kontrollet për parandalimin e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit në zonë.