
Policia e Shijakut, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në një ambient të përshtatur në lagjen “Popullore” të Shijakut.
Gjatë kontrollit, uniformat blu zbuluan 180 vazo ku më parë ishin kultivuar bimë kanabisi, si dhe boçe e mbetje të dyshuara narkotike. Në ambient u gjetën edhe pajisje për ujitje, ventilim dhe ndriçim me llamba elektrike, ndërsa furnizimi me energji kryhej përmes një lidhjeje të paligjshme.
Në kuadër të operacionit të koduar “Përshtatja”, u arrestuan katër persona:
- K., 54 vjeç dhe J. Gj., 31 vjeç, për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim
- D., 24 vjeç, për moskallëzim krimi
- B., 61 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi punonte në OSHEE dhe nuk raportoi lidhjen e paligjshme të energjisë
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi D. K., 25 vjeç, i dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, ambienti ishte marrë me qira nga familjarët e tij dhe ishte përshtatur posaçërisht për kultivimin e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim dhe zbardhjen e plotë të rastit.