Vendosni fjalën kyçe....

Apple planifikon të hapë Siri-n për shërbimet rivale të AI


Apple planifikon të hapë asistentin e saj zanor Siri ndaj shërbimeve rivale të inteligjencës artificiale, përtej partneritetit të saj aktual me ChatGPT, raportoi Bloomberg News të enjten, duke cituar njerëz që kanë njohuri mbi këtë çështje.

Lëvizja, e cila pritet si pjesë e përditësimit iOS 27 të Apple, do lejonte aplikacionet e palëve të treta të integrohen drejtpërdrejt me Siri-n. Sipas raportit, kjo do t’u mundësonte përdoruesve t’i drejtojnë kërkesat e tyre drejt shërbimeve si Gemini i Alphabet ose Claude i Anthropic brenda asistentit.

Apple nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment.

Ky ndryshim shënon një kthesë të rëndësishme në strategjinë e AI të Apple, ndërsa ajo kërkon të arrijë konkurrentët e saj në Silicon Valley dhe ta pozicionojë iPhone-in si një platformë më të gjerë të inteligjencës artificiale. Siri, e prezantuar për herë të parë më shumë se një dekadë më parë, është qendror në këtë përpjekje.

Bloomberg raportoi se Apple po zhvillon mjete që lejojnë aplikacionet chatbot të instaluara përmes App Store të punojnë me Siri-n dhe veçori të tjera nën platformën e saj Apple Intelligence. Përdoruesit do të jenë në gjendje të zgjedhin se cili shërbim AI do trajtojë çdo kërkesë.

Ky riorganizim mund të ndihmojë gjithashtu Apple të prodhojë më shumë të ardhura duke marrë një pjesë nga abonimet e shitura përmes shërbimeve të AI të palëve të treta, thuhet në raport.

Apple pritet të prezantojë veçoritë e reja të softuerit në Konferencën e saj Botërore të Zhvilluesvenë qershor, megjithëse planet mund të ndryshojnë ende, shkruan Reuters.