Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër për situatën në Universiteti i Arteve, duke e cilësuar të papranueshëm moszbatimin e një vendimi qeverie të vitit 2021 për njohjen e meritës artistike.
Sipas saj, kjo situatë përbën një padrejtësi të drejtpërdrejtë ndaj artistëve që janë njëkohësisht pedagogë, duke dëmtuar karrierën e tyre dhe duke rrezikuar cilësinë e arsimit dhe kulturës në vend.
Në reagimin e saj, Zhupa thekson se pedagogët e Universitetit të Arteve janë ndër artistët më të spikatur në Shqipëri dhe përfaqësojnë vendin në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa trajtimi i tyre aktual është i padenjë.
“Është e papranueshme që një vendim i qeverisë, i miratuar që në vitin 2021 për njohjen e meritës dhe kontributit artistik në sistemin universitar, të mbetet i pazbatuar. Ky mosveprim nuk është thjesht një problem administrativ, është një padrejtësi e drejtpërdrejtë ndaj artistëve”, shprehet ajo.
Zhupa nënvizon se mosnjohja e meritës artistike, kërkesat kontradiktore për doktoraturë dhe kufizimet për pozicione drejtuese tregojnë mungesë vullneti për reforma reale në sistem.
Ajo gjithashtu ngre shqetësimin për skemën e pagesave, duke theksuar se artistë me kontribute të rëndësishme trajtohen në mënyrë të pabarabartë, çka ndikon në motivimin dhe dinjitetin e tyre profesional.
Duke mbështetur kërkesat e pedagogëve dhe artistëve, Zhupa kërkon zbatimin e menjëhershëm të vendimit për njohjen e meritës, heqjen e pengesave burokratike dhe rishikimin e sistemit të pagesave.
Sipas saj, mbrojtja e statusit të pedagogëve të Universitetit të Arteve është thelbësore për të ardhmen e artit dhe kulturës shqiptare, ndërsa çdo vonesë e mëtejshme rrezikon të thellojë krizën në këtë sektor.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Si kryetare e komisionit të kulturës shpreh shqetësim për situatën e krijuar me artistët pedagog në Universitetin e Arteve.
Është e papranueshme që një vendim i qeverisë, i miratuar që në vitin 2021 për njohjen e meritës dhe kontributit artistik në sistemin universitar, të mbetet i pazbatuar. Ky mosveprim nuk është thjesht një problem administrativ është një padrejtësi e drejtpërdrejtë ndaj dhjetëra artistëve, njëkohësisht pedagog i që kanë ndërtuar me vite karrierën e tyre dhe që sot trajtohen në mënyrë të padenjë.
Pedagogët e Universitetit të Arteve nuk janë thjesht akademikë. Ata janë ndër artistët më në zë të Shqipërisë në fushat e tyre, përfaqësues të denjë të kulturës sonë në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Të pengosh këta profesionistë në pagesë dhe në avancimin e tyre në karrierë nuk është vetëm padrejtësi individuale është një dëm i drejtpërdrejtë kulturor për vendin.
Mosnjohja e meritës artistike, kërkesat kontradiktore për doktoraturë dhe kufizimet absurde për përfshirjen në poste drejtuese tregojnë qartë një mungesë vullneti për të reformuar realisht sistemin. Kjo situatë jo vetëm cenon të drejtat individuale të pedagogëve, por rrezikon seriozisht funksionimin institucional të Universitetit të Arteve dhe cilësinë e arsimit që ai ofron.
Po aq shqetësuese është edhe çështja e pagesave, ku artistë me kontribute të jashtëzakonshme trajtohen financiarisht në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë, duke ulur motivimin dhe dinjitetin profesional. Në këtë mënyrë, cenohet edhe vetë zhvillimi i artit dhe kulturës në vend, pasi këta pedagogë janë ata që formojnë brezat e rinj të artistëve.
Në këto kushte, mbështes plotësisht kërkesat e pedagogëve artistëvetë cilët me të drejtë kërkojnë:
- Zbatimin e menjëhershëm të vendimit për njohjen e titujve mbi bazën e meritës;
- Sqarimin dhe eliminimin e çdo kërkese kontradiktore që bie ndesh me aktet ligjore në fuqi;
- Heqjen e kufizimeve të pajustifikuara për konkurrimin në pozicione drejtuese;
- Rishikimin e skemës së pagesave për të reflektuar vlerën reale të kontributit të tyre.
Mbrojtja e statusit të pedagogëve të Universitetit të Arteve është njëkohësisht mbrojtje e artit dhe kulturës shqiptare. Çdo vonesë e mëtejshme vetëm sa do të thellojë krizën dhe do të dëmtojë një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe arsimit në vend.
Artistët meritojnë respekt, dinjitet dhe trajtim të drejtë.
