Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me raketa nga Hezbollahu në Izrael, një i vrarë dhe 11 të plagosur në Nahariya


Një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur pas një vale raketash të lëshuara nga Hezbollah drejt veriut të Izrael, duke goditur qytetin Nahariya.

Sipas shërbimeve emergjente Magen David Adom, viktima, rreth 30 vjeç, fillimisht u raportua në gjendje kritike, por më pas ndërroi jetë si pasojë e goditjes direkte, sipas JP.

Një tjetër person, rreth 50 vjeç, ndodhet në gjendje mesatare deri serioze, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar plagë të lehta. Shtatë persona të tjerë janë trajtuar për gjendje paniku.

Autoritetet izraelite raportojnë për të paktën tre zona të goditura, ndërsa një banesë në zonën e Margaliot ka pësuar dëmtime të lehta. Bashkia e Nahariyas bëri të ditur se disa automjete janë përfshirë nga flakët pas sulmit.

Ekipet e emergjencës përshkruan skena me shkatërrime të mëdha, tym dhe xhama të thyer, ndërsa vijonin operacionet për ndihmën ndaj të plagosurve.

Në të njëjtën ditë, alarmet ajrore u aktivizuan edhe në pjesë të tjera të vendit, pasi ushtria izraelite identifikoi një lëshim rakete balistike nga Iran.

Ndërkohë, të paktën gjashtë persona u plagosën në qendër të Izraelit nga fragmente municionesh gjatë një vale të dendur sulmesh me raketa. Në Tel Aviv, një grua rreth të 40-ave u dërgua në spital me plagë të lehta nga copëzat e shpërthimit, ndërsa një tjetër person u plagos në të njëjtën zonë.

Fragmente ranë gjithashtu në kampusin e Technion – Israel Institute of Technology në Haifa, si dhe në zona të tjera, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme materiale.

Situata mbetet e tensionuar, me përshkallëzim të sulmeve dhe rritje të rrezikut për përhapje më të gjerë të konfliktit në rajon.