Vendosni fjalën kyçe....

Italia rrezikon mungesën e tretë radhazi në Kupën e Botës


Dështimi i Italisë për të rritur talente të reja, qëndron në zemër të një rënieje 20-vjeçare, thanë për Reuters fituesit e Kupës së Botës 2006, Massimo Oddo dhe Marco Amelia, ndërsa “Azzurrët” i drejtohen një tjetër faze playoff me rrezikun për të humbur finalet e treta radhazi.

Pasi ngritën trofeun 20 vjet më parë, Italia u eliminua që në fazën e grupeve në dy edicionet vijuese, duke fituar vetëm një ndeshje. Që atëherë, ata kanë munguar në dy Kupat e fundit të Botës, duke u mposhtur në playoff.

Ish-portieri Amelia thotë se këto rezultate nuk ishin pengesa të izoluara.

“Fitorja në vitin 2006 mbuloi dhe fshehu kufijtë që sistemi kombëtar kishte që atëherë në aspektin e strukturave dhe përgatitjes,” tha Amelia.

“Ne nuk u dhamë besim të mjaftueshëm lojtarëve të rinj premtues dhe klubet investuan shumë pak në planifikimin afatgjatë. Në Serie A ka një përqindje shumë të lartë të lojtarëve të huaj. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë është që klubet të investojnë më shumë te të rinjtë italianë, duke e ditur se disa nga ato investime mund të dështojnë.”

Sipas ish-mbrojtësit Oddo, futbolli italian ka mbetur pas.

“Ligat e tjera e kanë tejkaluar Serie A, për shkak të faktorëve ekonomikë dhe infrastrukturorë,” tha Oddo. “Më parë, lojtarët italianë nuk shkonin kurrë jashtë vendit. Tani ata shkojnë, dhe në Itali vijnë lojtarë mesatarë, duke u marrë hapësirën italianëve. Futbolli italian duhet të modernizojë sektorin e rinisë, sepse talenti ekziston, por nuk mbështetet siç duhet.”

Oddo, tani trajner i ekipit rezervë të AC Milan, beson se nevojitet një ndryshim i plotë i mendësisë.

“Duhet investuar shumë më tepër te ata që quhen trajnerë dhe t’i kthejmë ata në edukatorë. Duhet të përqendrohemi te rritja individuale e djemve, jo aq shumë te rezultatet. Sot, trajneri vihet në pyetje edhe në sektorin e të rinjve. Të gjithë presin rezultate, dhe nëse rezultatet nuk vijnë, trajneri zëvendësohet. Kur ekziston ky lloj problemi, trajneri përfundon duke aktivizuar lojtarin që mbase është më i gatshëm momentalisht, por që ka më pak potencial afatgjatë.”

Një shkëlqim i rremë

Triumfi i Italisë në Euro 2020 i maskoi për pak kohë problemet më të thella.

“Si në Kupën e Botës, ashtu edhe në Europianin që fituam, Italia bëri atë që duhej të bënte, duke u mbështetur në një njësi mbrojtëse të fortë,” tha Oddo.

“Nesta, Materazzi, Zambrotta në 2006, Chiellini dhe Bonucci në Europian. Dhe mbrojtësit e mëdhenj që kishim dikur – besoj se Chiellini ishte mbrojtësi i fundit vërtet i madh italian – nuk ekzistojnë më.”

Amelia ra dakord se Europiani nuk ishte një pikë kthese, duke vënë në dukje fushatën aktuale kualifikuese që përfshiu dy humbje të rënda nga Norvegjia dhe e la Italinë në vendin e dytë të grupit.

“Italia e fitoi Europianin duke luajtur një futboll më modern, por edhe duke u mbështetur në atë që ka qenë gjithmonë ADN-ja jonë – aftësia për të mbrojtur mirë,” tha ai.

“Në kualifikuese pësuam shumë. Tani duhet të mendojmë për rezultatet, dhe rezultatet vijnë nga skuadrat që dinë të mbrohen mirë dhe të shfrytëzojnë maksimalisht cilësitë e tyre sulmuese.”

Dështimi i vetëm i mëparshëm i Italisë për të arritur në një Kupë Bote përpara kësaj periudhe të vështirë erdhi në vitin 1958, kur ata përfunduan pas Irlandës së Veriut në grupin e tyre kualifikues.

Të enjten ata përballen me të njëjtin kundërshtar në një gjysmëfinale playoff-i në Bergamo, ku fituesi do të udhëtojë për t’u ndeshur me Uellsin ose Bosnjë-Hercegovinën për një vend në finale, shkruan Reuters.

“Moskualifikimi për në Kupën e Botës do ishte një goditje e madhe, mbi të gjitha në nivel ekonomik,” tha Oddo.

“Gjithashtu edhe për gjithçka rreth futbollit, mediat, tifozët. Kjo mungesë rezultatesh në nivel ndërkombëtar godet entuziazmin e tifozëve, i cili po zbehet, kjo është e vërteta e hidhur.”

Amelia beson se rezultati i playoff-it nuk duhet të largojë vëmendjen nga problemet më të gjera.

“Të mos kualifikohesh nuk do ishte katastrofë. Do të ishte thjesht një e vërtetë që duhet analizuar siç duhet, sepse edhe nëse kualifikohemi, problemet e futbollit italian mbeten të njëjta.”