Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e industrisë së filmit në Shqipëri, duke theksuar mungesën e mbështetjes dhe vëmendjes institucionale ndaj këtij sektori.
Ajo theksoi se një nga problemet kryesore mbetet buxheti i ulët për financimin e projekteve filmike, i cili, sipas saj, e bën të vështirë ndërtimin e një industrie konkurruese dhe të qëndrueshme.
Zhupa nënvizoi gjithashtu mungesën e infrastrukturës moderne, mungesën e një tregu të organizuar për shpërndarjen e filmave dhe largimin e profesionistëve drejt tregjeve të huaja për shkak të mungesës së mundësive në vend.
Në deklaratën e saj, ajo kërkoi hartimin e një ligji të ri për kinematografinë, të përshtatur me realitetet aktuale, si dhe një proces të gjerë konsultimi me aktorët e industrisë.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj ishte mungesa e një festivali kombëtar të filmit prej 13 vitesh, që sipas Zhupës përbën një tregues të qartë të neglizhencës ndaj artit dhe kulturës nga qeveria e Edi Rama. Ajo e cilësoi këtë mungesë si një pengesë për motivimin e profesionistëve dhe për promovimin e kinematografisë shqiptare.
Sipas Zhupës, industria e filmit ka potencial të madh për të ndikuar në promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë, zhvillimin e turizmit dhe rritjen ekonomike, por kjo kërkon investime konkrete dhe politika mbështetëse.
Ajo theksoi se investimi në kinematografi nuk duhet parë si luks, por si një domosdoshmëri për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit.
Postimi:
Në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë diskutuam nga afër problematikat që vazhdon të përballet industria e filmit në vend.
Një ndër shqetësimet kryesore mbetet buxheti i ulët në dispozicion për financimin e projekteve, i cili e bën shumë të vështirë zhvillimin e një industrie konkurruese dhe të qëndrueshme. Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e prodhimeve dhe në mundësitë për të mbështetur talentet e rinj. Përtej financimit, industria përballet edhe me mungesë infrastrukture moderne, mungesë të tregut të organizuar për shpërndarjen e filmave, mungesë të incentivave në ligjin e sponsorizimeve, si dhe me largimin e profesionistëve drejt tregjeve të huaja për shkak të mungesës së mundësive.
U theksua gjithashtu nevoja urgjente për një ligj të ri të kinematografisë, që t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të krijojë më shumë hapësira mbështetjeje, përfshirë edhe nevojën për konsultim të gjerë paraprak.
Është shqetësuese që prej 13 vitesh mungon një festival i mirëfilltë i filmit shqiptar, një lloj “Oscar” kombëtar, për të motivuar gjithë profesionistët e fushës por edhe për të krijuar një atmosferë promovimi dhe vlerësimi. Kjo tregon qartë se kultura dhe kinematografia nuk kanë qenë prioritet i qeverisjes së Edi Ramës.
Industria e filmit mund të kthehet në një aset i rëndësishëm për vendin, nëse investohet. Ajo luan rol kyç në promovimin ndërkombëtar, në rritjen e turizmit dhe në zhvillimin ekonomik. Investimi në këtë sektor nuk është luks, por domosdoshmëri për identitetin dhe të ardhmen tonë kulturore dhe ekonomike.
