Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata në SHBA shpall fajtor Meta-n për dëmtim të fëmijëve, gjobitet me 375 milionë dollarë



Një juri në shtetin e Nju Meksikos ka shpallur fajtor gjigantin teknologjik Meta Platforms në një proces gjyqësor për sigurinë e fëmijëve, duke vendosur se kompania ka dëmtuar me vetëdije shëndetin mendor të të miturve dhe ka fshehur njohuritë për shfrytëzimin seksual të tyre në platformat sociale, përcjell DW.

Meta, që zotëron rrjete si Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Threads, u gjet në shkelje të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit në Nju Meksiko dhe u urdhërua të paguajë 375 milionë dollarë gjobë.

Vendimi vjen pas një gjyqi që zgjati rreth shtatë javë dhe u ngrit nga Prokurori i Përgjithshëm i shtetit. Juria arriti në përfundimin se kompania kishte bërë deklarata të rreme ose mashtruese për sigurinë e fëmijëve dhe kishte përdorur praktika të padrejta që shfrytëzonin dobësinë e tyre.

Sipas autoriteteve, janë konstatuar mijëra shkelje, të cilat kontribuuan në shumën totale të gjobës. Prokurori i Përgjithshëm Raúl Torrez e cilësoi vendimin si një “fitore historike për çdo fëmijë dhe familje”.

Nga ana tjetër, Meta deklaroi se nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë atë. Kompania theksoi se po punon vazhdimisht për të garantuar sigurinë në platformat e saj dhe për të luftuar përmbajtjet e dëmshme.

Megjithëse vendimi konsiderohet precedent i rëndësishëm, gjoba është më e ulët se 2.2 miliardë dollarët që kërkonin prokurorët. Ndërkohë, në një fazë të dytë të procesit, që pritet të nisë në maj, një gjykatës do të vendosë nëse Meta duhet të financojë programe publike për të adresuar dëmet e shkaktuara.

Kompania përballet gjithashtu me mijëra padi të tjera në SHBA, ku akuzohet se ka projektuar qëllimisht platformat për t’i bërë ato varëse për të rinjtë, duke kontribuar në një krizë të shëndetit mendor tek të miturit.