Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e çmimit të naftës godet fermerët, bllokohen mjetet bujqësore dhe pezullohet aktiviteti



Rritja e çmimit të karburantit po rëndon ndjeshëm situatën ekonomike të fermerëve në juglindje të vendit, duke detyruar shumë prej tyre të ndërpresin punën dhe të parkojnë mjetet bujqësore.

Në zonën e Sheqerasit, në Bashkinë e Maliqit, fermerët raportojnë se kostot e larta të naftës po e bëjnë të pamundur vijimin e aktivitetit. Një pjesë e traktoristëve kanë ndalur punën, pasi të ardhurat nuk mbulojnë më shpenzimet.

“Me këtë çmim nuk na leverdis fare. Ta marr naftën shtrenjtë dhe ta shesim prodhimin lirë? S’ka kuptim. Kështu jemi të detyruar të ndalojmë,” shprehet një prej fermerëve.

Të tjerë thonë se situata i ka detyruar të marrin masa drastike, duke nxjerrë jashtë përdorimit mjetet bujqësore. Sipas tyre, rritja e çmimeve të naftës, plehrave kimike dhe inputeve të tjera bujqësore ka dyfishuar kostot.

“Jemi pa mbështetje. Nuk na del as për veten tonë, jo më për të tjerët. Kam ndalur mjetet, nuk i nxjerr më,” thotë një tjetër fermer.

Në mungesë të alternativave, disa prej tyre janë rikthyer te metodat tradicionale të punës. Ka fermerë që kanë zgjedhur të përdorin kafshë pune në vend të traktorëve, për të ulur kostot.

Megjithatë, ka edhe nga ata që vijojnë punën për shkak të sezonit të mbjelljeve pranverore, duke paralajmëruar se ndërprerja e aktivitetit në këtë periudhë do të sillte humbje të mëdha për gjithë vitin bujqësor.

Fermerët kërkojnë ndërhyrje nga shteti, duke theksuar se në vende të tjera të rajonit, si Greqia, sektori bujqësor mbështetet me subvencione për të përballuar rritjen e çmimeve.

Në qarkun e Korçës numërohen mbi 4,800 mjete bujqësore, pjesa më e madhe e të cilave operojnë në zonën e Maliqit, një nga zonat kryesore bujqësore në vend.