Vendosni fjalën kyçe....

Flukset migratore në rënie në 2026; Egjiptianët dominojnë hyrjet në Shqipëri


Flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie në fillim të vitit 2026. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në janar të këtij viti u regjistruan gjithsej 1,660 hyrje të parregullta në rajon, një nivel rreth 37% më i ulët krahasuar me muajin dhjetor 2025 dhe rreth 12% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Brenda rajonit, Shqipëria mbetet një nga vendet me numër relativisht të ulët regjistrimesh, me 64 hyrje të identifikuara në janar 2026, në rënie me rreth 29% krahasuar me muajin paraardhës.

Rajoni mbetet pikë tranziti

Raporti i IOM për “Flukset e përziera migratore në Ballkanin Perëndimor” tregon se pjesa më e madhe e hyrjeve të parregullta vijon të përqendrohet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, dy nga nyjet kryesore të korridorit migrator drejt Bashkimit Europian. Në janar 2026, Bosnja dhe Hercegovina regjistroi 732 hyrje të parregullta, ndërsa Serbia 349.  Në vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi raportoi 203 hyrje, ndërsa Maqedonia e Veriut 250 raste. Kosova kishte 62 hyrje të regjistruara në këtë periudhë. Rënia mujore e regjistrimeve në shumicën e vendeve të rajonit lidhet kryesisht me faktorë sezonalë dhe me intensifikimin e kontrolleve kufitare, që zakonisht reduktojnë lëvizjet gjatë muajve të dimrit.

Egjiptianët dominojnë në Shqipëri

Sa i përket origjinës së migrantëve që hyjnë në Shqipëri, raporti tregon se pjesa dërrmuese vijnë nga Egjipti. Në dhjetor 2025, rreth 68% e migrantëve të regjistruar në vend ishin shtetas egjiptianë, ndërsa sirianët përbënin rreth 18% dhe shtetasit indianë rreth 6%. Në pjesën tjetër të rajonit dominojnë kombësi të tjera, si afganët, sudanezët dhe algjerianët, duke reflektuar ndryshimet në itineraret migratore dhe rrjetet e trafikut të njerëzve.

Kapacitetet e qendrave të pritjes

Në nivel rajonal funksionojnë 37 qendra pritëse për migrantët, me një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 10,867 vendesh. Aktualisht, rreth 1,425 migrantë janë të akomoduar në këto struktura, sipas të dhënave më të fundit të raportit. Në Shqipëri janë identifikuar 10 qendra pritëse me një kapacitet total prej rreth 765 vendesh, por vetëm një numër shumë i vogël migrantësh rezultojnë të akomoduar në to, çka tregon se vendi mbetet kryesisht një pikë kalimi dhe jo destinacion qëndrimi afatgjatë.

Kërkesat për azil

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë gjithashtu se në rajonin e Ballkanit Perëndimor u paraqitën 743 kërkesa për azil. Shqipëria regjistroi 38 prej tyre, një numër shumë më i ulët krahasuar me Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën apo Serbinë. Në të njëjtën periudhë, autoritetet në rajon morën edhe vendime për dhënien e statusit të refugjatit, mbrojtjes plotësuese apo refuzimin e kërkesave për azil, duke reflektuar kompleksitetin e menaxhimit të flukseve migratore në korridorin ballkanik.

Në tërësi, të dhënat e fillimit të vitit 2026 sugjerojnë një ngadalësim të përkohshëm të flukseve migratore në rajon, megjithatë organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se presioni migrator përgjatë kësaj rruge mbetet i paqëndrueshëm dhe mund të rritet sërish gjatë muajve të ardhshëm. /D.Hyka

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor