Qindra kamionë bllokuan pikën kufitare Svilaj në Bosnjë e Hercegovinë, duke formuar kolona kilometrike, pasi transportuesit protestuan kundër rregullave të Bashkimit Evropian (BE) që kufizojnë qëndrimin e tyre në hapësirën Shengen në 90 ditë, raporton Anadolu.
Trafiku i udhëtarëve zhvillohet pa pengesa ndërsa kamionët janë të parkuar përgjatë rrugës.
Bllokimi i pikave kufitare është i ndaluar në entitetin e Republikës Sërpska, në kantonin e Hercegovinës Perëndimore dhe në kantonin Una-Sana, por në kantonin Posavina nuk janë ndërmarrë masa të tilla.
Transportuesit paralajmërojnë se Bosnjë e Hercegovina mund të përballet me një situatë ku importi dhe eksporti i mallrave janë seriozisht të rrezikuara dhe zinxhirët e furnizimit vihen në pikëpyetje, nëse nuk nisin urgjentisht bisedime të drejtpërdrejta me institucionet e BE-së dhe vendet fqinje.
Borjana Krishto, kryesuese e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, më herët u ka propozuar kryeministrave të Ballkanit Perëndimor nisjen e një iniciative të përbashkët ndaj BE-së për zgjidhjen e koordinuar të problemeve të sektorit të transportit rrugor ndërkombëtar në rajon.
Transportuesit thonë se prej kohësh përballen me probleme në kufijtë me BE-në për shkak të zbatimit të rregullores që përcakton rregullin e qëndrimit 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Në fund të janarit, përfaqësuesit e transportuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor protestuan në kufijtë e BE-së për të shprehur pakënaqësinë ndaj këtij rregulli, por kjo nuk çoi në ndryshimin e rregullave evropiane.
Transportuesit kërkojnë heqjen e akcizave për karburantin nga autoritetet vendore, kthimin e TVSH-së për transportin ndërkombëtar si dhe nga Administrata për Tatimin Indirekt zbatimin e masave të dakorduara më herët me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe uljen e kohës së pritjes në kufij.
Ata theksojnë se janë të detyruar të bllokojnë për shkak të, siç thonë, rregullave diskriminuese që kufizojnë qëndrimin e tyre në BE, edhe pse posedojnë të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme dhe qëndrojnë në BE vetëm në tranzit.