
Avokati i Popullit ka reaguar pas protestës së opozitës të zhvilluar të dielën në Tiranë, duke bërë me dije se ka ndjekur nga afër të gjithë itinerarin e tubimit.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi i punës i institucionit ka monitoruar situatën në terren, si dhe ka vizituar spitalet dhe komisariatet për të verifikuar rastet e protestuesve të ndaluar apo të lënduar. Nga të dhënat paraprake rezulton se të paktën 12 persona madhorë janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa 4 të mitur janë shoqëruar dhe më pas janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.
Në Spitalin e Traumës, përfaqësuesit e institucionit kanë administruar ankesën e një protestuesi, i cili pretendon se është ushtruar dhunë ndaj tij nga forcat e policisë. Për këtë rast është bërë me dije se ka nisur një hetim administrativ.
Avokati i Popullit thekson se një raport i detajuar do të publikohet në përfundim të hetimit, ndërsa u bën thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm gjatë menaxhimit të tubimeve.
Gjithashtu, institucioni kërkon transparencë mbi protokollet e përdorura nga policia, veçanërisht në lidhje me përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave, si gazi lotsjellës dhe uji.