Vendosni fjalën kyçe....

Ministri hungarez akuzohet se ndau informacione konfidenciale të BE-së me Rusinë


Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, akuzohet se për vite me radhë ka ndarë informacione konfidenciale nga takimet e Bashkimit Europian me Rusinë, sipas një raporti të publikuar nga The Washington Post.

Sipas hetimit, duke cituar një burim europian të sigurisë, Szijjártó thuhet se kontaktonte homologun e tij rus, Sergei Lavrov, gjatë pushimeve në mbledhjet e BE-së për ta informuar mbi diskutimet mes liderëve europianë dhe madje për të sugjeruar veprime të mundshme për Moskën.

Burimi i paidentifikuar deklaron se “për vite me radhë, çdo takim i BE-së ka pasur në thelb Moskën në tavolinë”.

Reagimet politike nuk kanë munguar. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se lajmi nuk është surprizë dhe se dyshime të tilla kanë ekzistuar prej kohësh. Edhe ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, reagoi me ironi ndaj raportit, shkruan Euronews.

Nga ana tjetër, Szijjártó i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i quajtur ato “lajme të rreme” dhe duke pretenduar se synojnë të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare në Hungari në favor të opozitës, konkretisht partisë Tisza të Péter Magyar.

Raporti vjen në një moment të ndjeshëm politik për Hungarinë, ndërsa vendi po i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit, ku sipas sondazheve të fundit, opozita kryeson ndaj partisë në pushtet të kryeministrit Viktor Orbán.

Në të njëjtën kohë, një raport tjetër i përmendur nga media sugjeron se shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse ka tentuar të organizojë një atentat ndaj Orbán-it, në një operacion të quajtur “gamechanger”, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Autoritetet në Budapest i mohojnë të gjitha akuzat, ndërsa çështja pritet të rrisë tensionet mes Hungarisë dhe partnerëve të saj në Bashkimin Europian.