Vendosni fjalën kyçe....

SHËNIM: Tenxherja me fasule, Elisa, Rrapi



Nga Habjon Hasani

Në mënyrë të paprecedentë, pasi u larguan kamerat dje nga Asambleja e PS-së, në gati gjysmën e fjalimit të tij, Rrapi foli drejtpërdrejt dhe tërthorazi për “vijën e gabuar ideologjike të Elisa Spiropalit”.

Vërej që mediat dhe këta “stjuardesat” e studiove e trajtojnë me mentalitet Instagram-i atë që ka ndodhur, duke komentuar se si gjoja Belinda po “kap” edhe Shkodrën, apo kur transferimi elektoral i Elisës komentohet me të njëjtin fjalor dhe mentalitet vulgar, njësoj siç komentohet transferimi nga burgu i Durim Bamit.

Në fakt, ajo që po ndodh në PS nuk ka kurrfarë lidhje me ndonjë ngarkesë të Rrapit ndaj Elisa Spiropalit në nivel personal.

Ajo që po ndodh është se Rrapi po e trajton Elisën si një instrument për të shndërruar në “fasule të gatuara” gjithë kastën drejtuese të Partisë Socialiste.

Rrapi e di se ata anëtarët e asamblesë, enturazhi përtej tyre, apo edhe garda e tij mediatike, ndonëse i mbajnë ison publikisht, kur shkojnë në shtëpi te gratë ose kur meditojnë me veten, e dënojnë Rrapin për këtë që po bën me Belindën dhe partinë.

Ata po mbajnë presion dhe Rrapi, me intuitë, e di se ky lloj kumari ka vetëm dy skenarë:

-Tenxherja me fasule do të shpërthejë një ditë

ose

-Fasulet do të shpërbëhen brenda tenxheres, do të depersonalizohen dhe do të gëlltiten.

Në këtë kumar që po luan Rrapi, ekziston një risk shumë i madh për të, sidomos në kushtet kur ai ka informacione të sakta se gjermanët nuk bëjnë asnjë hap pas dhe se, pas mbrojtjes së imunitetit të Ballukut, ai konsiderohet zyrtarisht si “mobster” nga gjermanët dhe jo si kryeministër.

Ky presion nga Berlini sjell riskun që ajo filetoja e gomës që bashkon kapakun me tenxheren e presionit të pësojë ndonjë çarje në këtë moment, dhe kjo i shkatërron Rrapit kumarin e tij me BE-në dhe me fasulet që ka në parti.

Nëse ndodh kjo çarje në fileton e gomës, ato fasulet e depersonalizuara kthehen në faktor force dhe avulli ia përvëlon fytyrën Rrapit nëse tenxherja shpërthen.

Kaq është i gjithë problemi i Rrapit me Elisa Spiropalin.

Ajo, për Rrapin, është instrumenti që i shërben atij për t’i treguar pjesës tjetër të “fasuleve” se nuk do të ketë asnjë të papritur në fileton e gomës së tenxheres.

Pra, po u thotë “fasuleve” se: unë do t’ju shkrij dhe do t’ju shpërbëj, dhe mos mendoni se do të shpëtoni.

Fasulet, në këtë moment, janë të tmerruara, të përçudnuara, por ato vetë s’kanë as forcën dhe as integritetin për të reaguar.

Rrapi nuk ka asgjë personale me Elisa Spiropalin; madje ai e di absolutisht shumë mirë se, nëse ndodh që atij i shket këmba, këta që heshtin sot do të jenë të parët që do ta “therin”, dhe gjasat janë që ajo, Spiropali, do ta marrë në mbrojtje pas kësaj. Rrapi e di shumë mirë këtë gjë, sepse e njeh shumë mirë Elisën.

Me qëndrimin që mbajti për Ballukun, Rrapi ka vetëm një armik real; ky armik është konceptual dhe karakterial:

Pas imunitetit të Ballukut, Rrapi i ka shpallur luftë integritetit; për pasojë, i ka shpallur luftë secilit individ që zgjedh integritetin dhe jo atë.

Nuk është personale me Elisën. Ajo zgjodhi integritetin dhe ai thjesht po ndjek lojën, sepse në këtë moment integriteti është armiku më i madh i shokut Rrapi.

Kaq është konflikti i tij me Elisa Spiropalin.

Nga kjo pikë mbërritjeje, shfaqen në horizont dy perspektiva të qarta:

-Rrapi po e trajton Spiropalin me të njëjtin mentalitet që Nano e trajtonte dikur Rrapin në vitet 2003–2005: goditje në konjukturë, në asamble, apo edhe goditje nga “zarat” mediatike.

-Rrapi po luan kumarin e tij të fundit, me Bashkimin Evropian dhe me “fasulet në tenxhere”; ai ka zgjedhur kumarin sepse, në psikozën e tij, ai nuk njeh fare institucione apo sistemin; kumari është rrjedhoja më logjike e psikës së tij. Kush priste ndryshe, është budalla. Shtuar kësaj edhe patologjia e fronit: patologjia e dikujt që, pas shumë vitesh qëndrimi në krye, bëhet fëmijë dhe nuk arrin më të ndajë dëshirën nga mundësia.

Tani le të marrim kokoshkat dhe të shohim si do të shkojë fati i tenxheres dhe i fasuleve; por, të paktën deri në këtë moment, diçka është bërë shumë e qartë:

Kasta drejtuese e PS-së është një entitet që ka vetëm një të përbashkët: mungesën e integritetit. Vetëm kjo i bashkon me njëri-tjetrin; asnjë kredo apo princip politik nuk i lidh ata.

Në lojë mbetet vetëm për t’u parë: fasulet do të shkrihen apo do të shpërthejnë aksidentalisht.