Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Ulëm akcizën e naftës me 20%, s’ka vend për abuzime në treg


Kryeministri Edi Rama ka komentuar rritjen e çmimeve të karburanteve gjatë episodit të radhës të podkastit “Flasim”, duke theksuar masat e ndërmarra për kontrollin e tregut dhe lehtësimin e barrës për qytetarët.

Sipas tij, qeveria ka ngritur një task forcë për monitorimin e tregut, ndërsa është rikthyer edhe bordi i transparencës për të parandaluar abuzimet. Rama u shpreh se nuk janë konstatuar shkelje, por kontrolli vijon në mënyrë të vazhdueshme.

Ai bëri të ditur se është vendosur edhe një ulje e përkohshme e akcizës së naftës me rreth 20%, si një masë për të përballuar rritjen e çmimeve.

“Nuk do të ketë përfitues që shfrytëzojnë krizën për të rritur fitimet në kurriz të qytetarëve,” tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se të ardhurat shtesë do të përdoren për mbështetjen e pensionistëve, ndërsa paralajmëroi masa të tjera për rritjen e transparencës në tregun e karburanteve.

Duke folur për ekonominë, Rama theksoi se vendi po ndjek një trend të qëndrueshëm rritjeje, me pritshmëri pozitive për Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ai përmendi gjithashtu rritjen e pagave si faktor që ndikon në kthimin e emigrantëve.

Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te siguria kibernetike, duke deklaruar se Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë në një indeks ndërkombëtar, falë investimeve dhe forcimit të kapaciteteve pas sulmeve të viteve të fundit.