
Me rastin e festës së Sulltan Novruzit, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama kanë përcjellë urime për qytetarët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite si simbol i paqes, shpresës dhe harmonisë.
Në mesazhin e tij, Presidenti Bajram Begaj e cilësoi këtë festë si një moment që përfaqëson pranverën dhe ringjalljen, si dhe vlerat e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Ai theksoi se kjo ditë duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëjetesë në shoqëri.
“Gëzuar Sulltan Novruzin! Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh,” u shpreh Begaj.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ndau një mesazh urimi nga Teqeja e Helvetive në Berat, duke e cilësuar këtë vend si një nga më të bukurit në Ballkan, ku mbizotërojnë qetësia dhe harmonia.
“Me urimin për Ditën e Sulltan Novruzit nga Teqeja e Helvetive, Berat, ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim, ju uroj një të diel të paqtë,” shkroi Rama.