Vendosni fjalën kyçe....

Fitër Bajrami festohet në mbarë vendin, besimtarët mbushin sheshet me lutje dhe urime



Besimtarët myslimanë në mbarë Shqipërinë kanë festuar këtë të premte Fitër Bajramin, duke mbushur sheshet kryesore të qyteteve me pjesëmarrje të lartë në faljen e namazit dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie.

Atmosfera ka qenë festive në të gjithë vendin, ku pas përfundimit të faljes, besimtarët kanë shkëmbyer urime dhe kanë vijuar traditën e vizitave familjare. Fitër Bajrami, një nga festat më të rëndësishme të fesë islame, shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në Durrës, për shkak të numrit të madh të besimtarëve, ceremonia e faljes u zhvillua jo vetëm në ambientet e xhamisë së madhe, por edhe në sheshin “Liria” dhe hapësira të tjera përreth. Falja nisi në orën 06:25 dhe u karakterizua nga pjesëmarrje masive.

Në Fier, besimtarët u mblodhën që në orët e para të mëngjesit në sheshin qendror të qytetit, ku falja nisi në orën 06:30. Myftiu i Fierit, Mikel Hazizolli, përcolli mesazhe për paqe, harmoni dhe angazhim për ndërtimin e një shoqërie më të mirë.

Në Lushnjë, qindra besimtarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit për faljen e namazit, ndërsa myftiu Gramoz Blliku theksoi rëndësinë e bashkimit dhe vëllazërimit mes njerëzve.

Ndërsa në Pukë, ceremonia kryesore u zhvillua në Xhaminë e Kodër Hanit, ku myftiu Gëzim Kopani u ndal te rëndësia e vazhdimit të veprave të mira edhe pas muajit të Ramazanit. Besimtarët u lutën për paqe, mirësi dhe ndalimin e konflikteve.

Një nga traditat kryesore të kësaj feste mbetet dhënia e sadakasë, si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për ata në nevojë. Pas faljes, familjet shqiptare vijojnë festimet me dreka tradicionale dhe ëmbëlsira, duke ruajtur frymën e bashkimit dhe gëzimit që sjell kjo ditë.