Vendosni fjalën kyçe....

Kanceri kolorektal shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri për personat nën 50 vjeç në SHBA


Sipas një raporti të ri nga Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS), kanceri kolorektal është tashmë shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri për personat nën moshën 50 vjeç në SHBA. Ekspertët po u bëjnë thirrje njerëzve që të tregojnë kujdes ndaj disa simptomave që shpesh anashakalohen.

Kanceri kolorektal – fjala përmbledhëse për kancerin e zorrës së trashë dhe kancerin e rektumit – është lloji i tretë i kancerit më i diagnostikuar në SHBA dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve të lidhura me kancerin. Sëmundja konsiderohet si shumë e trajtueshme kur zbulohet herët dhe shpeshherë është e parandalueshme.

Kjo ndodh për dy arsye. Së pari, shumë raste zhvillohen ngadalë nga rritje parakanceroze të zbulueshme dhe lehtësisht të heqshme (të njohura si polipe adenomatoze). Së dyti, gjasat për zhvillimin e këtij kanceri mund të ulen ndjeshëm përmes një stili jete të shëndetshëm, si përmirësimi i dietës, mbajtja e një peshe të shëndetshme, ushtrimet fizike dhe shmangia e duhanit.

Sipas ACS, rreth 158,850 raste të reja të kancerit kolorektal do diagnostikohen vetëm këtë vit në SHBA, dhe sëmundja do vrasë rreth 55,230 persona. Sëmundja duket se shfaqet pak a shumë në mënyrë të barabartë midis gjinive, ku një në 25 burra dhe një në 26 gra preken prej saj.

Për një kohë të gjatë, kanceri kolorektal konsiderohej si një sëmundje e moshave të vjetra, por tani po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm te të rriturit e rinj. Analiza e re e ACS tregon se, edhe pse incidenca e sëmundjes ka rënë lehtë në popullatën e përgjithshme, rastet e kancerit kolorektal te të rriturit midis 20 dhe 49 vjeç po rriten me 3 për qind çdo vit. Kjo rritje ka ndodhur gradualisht që nga viti 2004, ndërsa normat te të rriturit mbi 65 vjeç kanë pësuar rënie që nga viti 2012.

Autorët e raportit të ri paralajmërojnë se ky trend ka pasoja për të ardhmen.

“Peizazhi i kancerit kolorektal në Shtetet e Bashkuara po ndryshon me shpejtësi. Vdekshmëria po rritet tani te të rriturit më të rinj se 65 vjeç paralelisht me incidencën, duke konfirmuar një rritje të rrezikut bazë të kancerit kolorektal te individët e lindur pas rreth vitit 1950,” shpjegojnë ata në punimin e tyre.

Simptomat e kancerit kolorektal mund të jenë të vështira për t’u identifikuar, por ekspertët u bëjnë thirrje njerëzve t’u kushtojnë vëmendje ndryshimeve në zakonet e tyre të jashtëqitjes, veçanërisht nëse përjetojnë ndryshime të vazhdueshme si diarreja, kapsllëku ose jashtëqitja e hollë. Gjaku në jashtëqitje është një tjetër simptomë e rëndësishme, së bashku me dhimbjen e barkut ose ngërçet.

Gjasat për zhvillimin e kancerit kolorektal mund të ndikohen nga faktorë të ndryshëm, disa prej të cilëve janë të kontrollueshëm dhe disa jo. Përveç plakjes, ata me histori familjare të kancerit kolorektal ose polipeve të kolonit kanë një rrezik të shtuar për zhvillimin e tij. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit me kushte të trashëguara si sindroma Lynch ose polipoza adenomatoze familjare (FAP) dhe polipoza e lidhur me MYH.

Në SHBA, njerëzit me trashëgimi vendase ose siç njihen ndryshe Native Americans dhe vendasit e Alaskës kanë rrezikun më të lartë të zhvillimit të kancerit kolorektal, të ndjekur nga afro-amerikanët. Njerëzit që kanë sëmundje inflamatore të zorrëve, si koliti ulceroz dhe sëmundja e Crohn-it, mund të kenë gjithashtu gjasa më të larta për ta zhvilluar atë.

Brenda popullatës së gjerë, megjithatë, zgjedhjet e stilit të jetesës luajnë një rol domethënës në kontributin ndaj sëmundjes. Përmirësimi i dietës, kryerja e ushtrimeve fizike dhe shmangia e duhanit janë mënyra të rëndësishme për të ulur gjasat e zhvillimit të këtij kanceri. Autorët e raportit të ri u bëjnë thirrje njerëzve që t’i marrin simptomat seriozisht dhe të kërkojnë këshillë mjekësore. Ata gjithashtu rekomandojnë që përpjekjet për depistim të synuara te personat 45 vjeç të iniciohen më gjerësisht.

“Rreziku mund të zbutet gjithashtu përmes fushatave edukative për të rritur ndërgjegjësimin mbi simptomat për sëmundjen (gjakderdhja rektale, dhimbja e barkut, diarreja, anemia nga mungesa e hekurit) midis mjekëve dhe publikut të gjerë për të lehtësuar zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë, si dhe për të ndihmuar në heqjen e stigmës ndaj sëmundjes,” shkruajnë ata.

Së fundi, ekipi thekson nevojën për të adresuar nevojat e të rinjve që marrin trajtim, veçanërisht pasi disa trajtime mund të çojnë në efekte anësore në shëndetin riprodhues dhe seksual, shkruan IFL.