Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e çmimit të naftës, Rama: S’ka rimbursim për qytetarët, ndihma vetëm për pensionistët


Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e rimbursimit të qytetarëve dhe bizneseve për rritjen e çmimit të karburanteve, duke theksuar se çdo mbështetje nga buxheti i shtetit do të fokusohet vetëm tek pensionistët.

Deklarata e tij vjen pas kërkesës së Konfindustria, e cila i bëri thirrje qeverisë të ndërhyjë menjëherë përmes një pakete fiskale lehtësuese për të përballuar krizën e karburanteve. Organizata propozon që të ardhurat shtesë në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të naftës, krahasuar me periudhën para krizës, t’u rikthehen qytetarëve dhe bizneseve përmes uljes së çmimit final.

Në përgjigje, Rama theksoi se një skemë e tillë nuk do të aplikohet, duke sqaruar se prioritet i qeverisë mbetet një kategori e vetme.

“Ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë sa herë të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë edhe nga ardhura të rritura si pasojë e situatave të kësaj natyre dhe kjo kategori është kategoria e pensionistëve”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se askush nuk mund të kërkojë nga buxheti më shumë sesa i takon, pavarësisht situatave të krijuara nga tregjet. Ai vuri në dukje se në sektorin publik pagat janë rritur dhe pritet të vijojnë të rriten, ndërsa në sektorin privat rritja e pagave është bërë një trend i qëndrueshëm, sidomos për punonjësit e kualifikuar.

“Në këtë fazë të zhvillimit të vendit nuk është më pyetja ‘a vjen të punosh me këtë pagë’, por ‘sa e do pagën që të vish të punosh’”, deklaroi Rama.