Ushtria izraelite ka paralajmëruar për një sulm të mundshëm të madh me raketa nga Hezbollah gjatë orëve të mbrëmjes, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në gatishmëri dhe pranë strehimeve.
Sipas IDF, janë identifikuar përgatitje të shtuara nga grupi militant për të ndërmarrë breshëri të mëdha raketash, kryesisht drejt veriut të Izraelit, por me mundësi që sulmet të koordinohen edhe me Irani, duke synuar zona qendrore të vendit, në një skenar të ngjashëm me përshkallëzimin e javës së kaluar, përcjell Ynet.
Autoritetet ushtarake thanë se këtë herë vendosën të paralajmërojnë publikun paraprakisht, pasi gjatë përshkallëzimit të mëparshëm mungesa e informacionit zyrtar kishte shkaktuar panik dhe përhapje të thashethemeve. Ata shtuan se do të tregojnë më shumë transparencë në raste të tilla.
Sipas inteligjencës ushtarake, në orët e fundit është vënë re një gatishmëri e shtuar nga Hezbollah për sulme, ndërsa Komanda Veriore e ushtrisë po punon për të penguar planet përmes goditjeve ajrore, zjarrit nga toka dhe mbikëqyrjes së komandantëve të grupit.
Edhe autoritetet lokale kanë nisur paralajmërime. Drejtuesi i Këshillit Rajonal Mateh Asher, Moshe Davidovich, tha se një sulm nga Libani mund të nisë rreth orës 19:00, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë pranë hapësirave të mbrojtura. Ndërkohë, Komanda e Frontit të Brendshëm pritet të japë udhëzime të mëtejshme për popullsinë.
Në Izrael vlerësohet se Hezbollah e konsideron të suksesshëm përshkallëzimin e javës së kaluar dhe mund të tentojë sulme të ngjashme çdo disa ditë për të krijuar panik te popullsia. Sipas ushtrisë, që nga nisja e këtij raundi përplasjesh janë vrarë mbi 500 operativë të këtij grupi.
Në deklaratën zyrtare, IDF theksoi: “Gjatë orëve të fundit janë identifikuar përgatitje të shtuara nga organizata terroriste Hezbollah për të kryer sulme me raketa ndaj Izraelit në orët në vijim. IDF po vepron për të penguar këto aktivitete.”
Ushtria shtoi se sistemet e mbrojtjes ajrore dhe forcat e vendosura në kufi janë në gatishmëri të lartë, ndërsa paralajmëroi se do të përgjigjet me forcë ndaj çdo kërcënimi.
Javën e kaluar, Hezbollah lëshoi rreth 220 raketa dhe dronë drejt Izraelit. Sipas ushtrisë, dy të tretat e sulmeve u neutralizuan paraprakisht, ndërsa nga rreth 200 raketa të lëshuara vetëm dy goditën objektiva, duke shkaktuar dëme dhe plagosje të lehta. Në kundërpërgjigje, Izraeli kreu sulme ajrore në periferinë Dahieh të Bejrutit, një bastion i Hezbollah.
Ndërkohë, operacionet tokësore izraelite në jug të Libanit janë zgjeruar, duke depërtuar deri në 7-9 kilometra brenda territorit, në atë që ushtria e përshkruan si një “zonë sigurie” për mbrojtjen e komuniteteve në veri.
