Fredi Beleri ka dështuar në përpjekjen për të çuar çështjen e tij në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit ka vendosur të mos e kalojë për shqyrtim kërkesën e tij për shfuqizimin e dënimit me burg.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur më 10 mars 2026 moskalimin e çështjes në seancë plenare, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të drejtësisë. Beleri kishte kundërshtuar vendimin e Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe atë të Gjykata e Lartë e Shqipërisë, të cilat konfirmuan dënimin e tij.
“Dhionisios Alfred Beleri Nr. 1 (Dh) 2026 Regj.Them, datë 03.02.2026 Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr. 160 (87-2024-217), datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1179, datë 15.07.2025 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 10.03.2026 Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare”,- njofton Gjykata Kushtetuese.
Ish-kryebashkiaku i Himarës ishte dënuar me 2 vite burg nga GJKKO për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, pasi u arrestua në flagrancë më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale, teksa blinte vota. Vendimi u konfirmua më pas nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Në të njëjtën çështje, bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, por me pezullim dhe vendosje në shërbim prove për tre vite.
Pas qëndrimit rreth 16 muaj në burg, Beleri u lirua me kusht, pasi kishte kryer dy të tretat e dënimit.
Gjatë kohës që vuante dënimin në Shqipëri, ai mori mbështetje nga Greqia dhe në 10 qershor 2024 u zgjodh eurodeputet nën siglën e Demokracia e Re, partisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Në korrik 2024, Beleri u betua në Strasburg, me lejen e autoriteteve shqiptare.
