Vendosni fjalën kyçe....

Boçi për zhvillimet në PD: Berisha i pari në garë për kryetar, statusi i Salianjit i vetëpërjashtuar


Nënkryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Luçiano Boçi, ka komentuar zhvillimet më të fundit brenda kampit demokrat, duke u ndalur te ndryshimet në statut, gara për kryetar dhe zërat për kandidatura të reja.

I ftuar në News24, Boçi u shpreh se Partia Demokratike ndodhet në një fazë riorganizimi sipas statutit, duke e cilësuar këtë një proces normal dhe të domosdoshëm. Ai theksoi se deputetëve u është kërkuar të jenë më pranë qytetarëve dhe të angazhohen në terren, përfshirë edhe thirrjet për protesta.

Sa i përket garës për drejtimin e partisë, Boçi konfirmoi se kandidati i parë është kryetari aktual, Sali Berisha, ndërsa shtoi se në ditët në vijim pritet të ketë edhe kandidatura të tjera.

Sipas tij, çdo anëtar që plotëson kushtet e statutit mund të kandidojë, por theksoi se partia nuk duhet të hapet pa kriter.

“Gara është shpallur. Kandidati i parë është kryetari aktual, Berisha. Secili që ka ambicie mund të kandidojë, nëse plotëson kushtet. Nuk besoj se PD ka luksin që të hapet kaq shumë,” u shpreh Boçi, duke shtuar se deri tani nuk ka kandidatura zyrtare të konfirmuara nga forumet e partisë.

Ai hodhi poshtë edhe pretendimet për mungesë gare reale, duke theksuar se demokracia e brendshme në PD është funksionale dhe se garat e mëparshme kanë qenë model.

I pyetur për qëndrimin e Ervin Salianji lidhur me ndryshimet në statut, veçanërisht për nenin 46, Boçi tha se kjo është një çështje që duhet parë në funksion të garantimit të parimeve të partisë.

Ndërsa për zërat se Salianji mund të kandidojë për kryetar të PD-së, Boçi u shpreh se statusi i tij është “i vetëpërcaktuar” dhe “i vetëpërjashtuar”, duke theksuar se ai mbetet anëtar i partisë, por vlerësimi për kandidaturat do të bëhet nga strukturat përkatëse.

“Statusi i Salianjit? I vetëpërcaktuar! I vetëpërjashtuar. Ai është anëtar i PD-së. Kriteret i trajton grupi i punës që do të ngrihet për verifikimin e kandidatëve,” deklaroi Boçi, duke shtuar se ai preferon të mbetet korrekt dhe institucional në qëndrimet e tij.a