Vendosni fjalën kyçe....

AKU pezullon aktivitetin e kompanisë KMY në Tiranë, asgjësohen 738 kg mish pule



Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
ka pezulluar aktivitetin e kompanisë KMY në Tiranë, pas zbulimit të një sasie mishi pule që paraqiste rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Gjatë kontrolleve në ambientet e subjektit, inspektorët sekuestruan 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule për shkak të shkeljeve të rënda të standardeve higjieno-sanitare. Nga verifikimet rezultoi se mishi ishte trajtuar në kushte të papërshtatshme, pasi gjatë proceseve të ngrirjes dhe shkrirjes ishte vendosur drejtpërdrejt në tokë.

Gjithashtu, produkti ruhej në një ambient ku u konstatuan prani myku dhe ndryshku, duke përbërë rrezik serioz për sigurinë ushqimore.

Në përfundim të kontrolleve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi pezullimin e aktivitetit të subjektit deri në përmbushjen e plotë të kushteve ligjore. Ndërkohë, e gjithë sasia prej 738 kilogramësh mish pule e sekuestruar u asgjësua.