Vendosni fjalën kyçe....

PD bojkoton seancën plenare, Bardhi: E paligjshme dhe në shkelje të rregullores



Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë të paligjshme dhe në kundërshtim me rregulloren.

Qëndrimi u bë publik nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se seanca është thirrur jashtë ditës së zakonshme të zhvillimit (e enjtja) dhe me një rend dite minimal, që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

Sipas Bardhit, kjo nuk përbën një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, pa një rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave të parashikuara.

Ai theksoi se një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk mund të funksionojë normalisht dhe rrezikon të kthehet në një instrument në shërbim të qeverisë.

Bardhi shtoi se, në vend që Kuvendi të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, është shndërruar në një mekanizëm që pengon edhe drejtësinë në hetimin e korrupsionit.

Në këtë kuadër, opozita ka vendosur të mos bëhet pjesë e asaj që e cilëson si “fasadë parlamentare”, duke u fokusuar në takimet me qytetarët dhe mobilizimin për protestën e 22 marsit.