Greqia ka miratuar blerjen e një sistemi të ri shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore dhe kundër dronëve, si dhe modernizimin e 38 avionëve luftarakë F-16.
Vendimi u mor nga një komision parlamentar, ndërsa kostoja totale e projektit vlerësohet rreth 4 miliardë euro, sipas dy burimeve të cituara nga Reuters.
Një pjesë e madhe e sistemit raketor pritet të furnizohet nga Izraeli. Sistemi, i quajtur “Achilles Shield”, parashikohet të kushtojë rreth 3 miliardë euro dhe synon të krijojë një mburojë kundër raketave dhe dronëve.
Në të njëjtën mbledhje me dyer të mbyllura, komisioni miratoi edhe modernizimin e 38 avionëve F-16 Block 50, që datojnë nga vitet 1990. Avionët do të përditësohen në versionin më të avancuar “Viper”, me një kosto të vlerësuar rreth 1 miliard euro.
Greqia ka aktualisht rreth 150 avionë F-16 në flotën e saj dhe tashmë ka modernizuar rreth 40 prej tyre.
Qeveria greke ka bërë të ditur se synon të investojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për modernizimin e forcave të armatosura. Ky plan vjen ndërsa vendi përpiqet të forcojë kapacitetet ushtarake pas krizës së borxhit të viteve 2009-2018 dhe të mbajë ritmin me rivalin historik në rajon, Turqinë.
Projekti duhet të marrë edhe miratimin e organit më të lartë vendimmarrës për çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes në Greqi, KYSEA.
Komisioni parlamentar miratoi gjithashtu modernizimin e katër fregatave të vjetra MEKO 200 dhe një marrëveshje mirëmbajtjeje për avionët transportues ushtarakë C-29J.
